I mituri në Tepelenë përfundon në spital, dyshohet se e plagosi shoku me armën e babait të tij
Plagoset aksidentalisht një i mitur në Tepelenë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se rreth orës 10:20, në spital ka përfunduar 16-vjeçari me inicialet O. V., banues në Tepelenë.
Mësohet se i mituri ndodhej në banesën e shokut të tij, shtetasit me inicialet E. Gj., 16 vjeç, dhe dyshohet se aksidentalisht është plagosur në këmbë prej tij me armën e shërbimit të shtetasit me inicialet T. GJ., punonjës policie në DVP Gjirokastër (babai i shtetasit E. Gj.). Aktualisht 16-vjeçari është duke marrë ndihmë mjekësore dhe nuk ka rrezik për jetën.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka pezulluar nga detyra, punonjësin e Policisë, inspektor T. Gj., dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka nisur ndaj tij, hetimin disiplinor. Gjithashtu, AMP ka nisur hetimin administrativo-penal për këtë rast. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–