Shtyu seancën për revokimin e masës “arrest shtëpie” për Berishën, GJKKO tregon arsyen: Ish-kryeministri refuzoi të firmoste fletëthirrjen
Mungesa e firmës së ish-kryeministrit Sali Berisha në fletëthirrjen për seancën ndaj tij në Gjykatën e Posaçme, u bë shkak që seanca të shtyhej.
Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar të firmosë fletëthirrjen, dokumentuar nëpërmjet kopjes së saj, të kthyer në gjykatë, të nënshkruar nga specialistët e zonës. Gjykata ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar, e konsideroi njoftimin si të kryer. Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, në kushtet që kërkuesi/i hetuari Sali Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues “arrest në shtëpi“, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë.
Në këto kushte, Gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në datën: 08.03.2024, ditë e premte ora 09.00.
AlbaniaWeb.net