Zbardhen ndryshimet në statut që bëjnë Bardhin dhe Gjekmarkajn nënkryetarë të Rithemimit. Emrat e rinj që shtohen në Kryesi
Më parë kryesia dhe pak më vonë Këshilli Kombëtar i Rithemelimit do të mblidhen ditën e nesërme për t’i vënë vulën bashkimit me grupin e Gazment Bardhit.
Kryetari i grupit parlamentar dhe disa deputetë të cilët deri pak kohë më parë kanë qenë kundërshtarë të grupit të ish-kryeministrit Berisha, do të bëhen pjesë e kryesisë së Rithemelimit duke u kooptuar për shkak të pozicioneve që mbajnë aktualisht.
Gazetarja e AlbaniaWeb.net, Elda Menga ka zbardhur dy nenet e statutit të Rithemelimit që do t’u vihen nesër anëtarëve kryesisë përpara për miratim dhe që i hapin rrugën disa deputetëve të bëhen pjesë e kësaj strukture.
Konkretisht në nenin 47 të statutit, do të shtohet një pikë sipas të cilës kryesia e grupit parlamentar të bëhet pjesë e kryesisë së Rithemelimit.
“Në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, sipas pikës 1 të nenit 47, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta te fundit kooptohet me vendin Kryesie, si anëtarë të saj me të drejta të plota, dëri në përfundimin e mandatit parlamentar, ose zgjedhjen e tyre sipas pikës 1 të nenit 47”, thuhet në pikën 3 që shtohet në nenin 47.
Në të njëjtën kohë do të shtohet edhe një paragraf në nenin 51 që i hap rrugën emërimit si nënkryetarë të partisë, kreut të grupit parlamentar dhe nënkryetarit demokrat të Kuvendit
Dy nenet që ndryshojnë:
Në nenin 47 te statutit të PDSH, pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si vijon;
Në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, sipas pikës 1 të nenit 47, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta te fundit kooptohet me vendin Kryesie, si anëtarë të saj me të drejta të plota, dëri në përfundimin e mandatit parlamentar, ose zgjedhjen e tyre sipas pikës 1 të nenit 47.
Në nenin 51 të statutit të PDSH, pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si vijon. “Në rast se pas zgjedhjes së nënkryetarëve, sipas parashikimeve të nenit 45 rezulton se kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe sipas rastit Nënkryetari/Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë nuk janë fitues sipas kësaj procedure, atëherë ata automatikisht konsiderohen nënkryetarë të partisë për shkak të funksionit. Përgjatë këtij mandati secili prej tyre gëzon dhe ushtron të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si nënkryetarët e zgjedhur, për aq kohë sa gëzon funksionin e drejtuesit të grupit parlamentar të PD dhe/ ose atë të Nënkryetarit/Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Anëtarët e rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit sipas ndryshimeve të reja statutore që pritet te miratohën të martën:
Gazment Bardhi – Kryetar i Grupit Parlamentar
Ervin Salianji – Nënkryetar i Grupit Parlamentar
Agron Gjekmarkaj – Nënkryetar i Kuvendit
Zheni Gjergji – (Kryetare, Komisioni i Shëndetësisë)
Dhurata Çupi – (Zëvendës kryetare, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë)
Helidon Bushati – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin)
Tomorr Alizoti – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Politikën e Jashtme)
Ferdidant Xhaferri – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Sigurinë Kombëtare)
Jorida Tabaku – (Kryetare, Komisioni për Çështjet Evropiane)
AlbaniaWeb.net