Wed, Nov 27, 2024

SHBA e BE, “pa doreza” me Kosovën: Zbatoni marrëveshjet e dialogut nëse doni anëtarësim në BE e NATO!

  • PublishedMarch 5, 2024

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë, Tomas Szunyog, janë treguar të drejtpërdrejtë në thirrjen e fundit drejtuar Kosovës, e cila ngjason dhe me një lloj paralajmërimi: Përmbushni marrëveshjet nëse dëshironi anëtarësimin në BE dhe NATO.

Kosova, tha Hovenier, mund ecë përpara në rrugën europiane vetëm përmes dialogut.

“Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, ne kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja… Shpresojmë të shohim përpjekje konkrete për të ecur përpara”, u shpreh Hovenier.

Edhe pse marrëveshja e arritur shkurtin e vitit të kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, nuk është nënshkruar, blloku e konsideron atë detyrim për palët. Hovenier këmbënguli, megjithatë, se asgjë nuk e pengon zbatimin e saj.

“Komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët do ta trajtonin Kosovën më ndryshe se tani, nëse ata do të ishin duke i zbatuar këto detyrime, e nëse do të ishin duke e miratuar draft-statutin për Asociacionin që nuk është në kundërshtim me kushtetutën dhe nëse do të ishin duke avancuar drejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”, u shpreh Hovenier.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili kujtoi sesi në 1997-tën, Richard Hollbruk thoshte në Pragë se nëse doni të jeni në NATO, atëherë zgjidhni raportet bilaterale me Gjermaninë; një vit më vonë, u nënshkrua marrëveshja mes Çekisë dhe Gjermanisë dhe në 1999, Vaslav Havel ia doli ta bënte vend anëtar.


AlbaniaWeb.net