Sat, Nov 23, 2024

“Do ta marrin fjalën më të shkolluarit”, Berisha i del në mbrojtje kandidatit të ‘BF’ dhe ironizon Ramën: Ti shkruan fjalë në duar që t’i lexosh në Parlament

  • PublishedMay 11, 2023

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme në një takim elektoral me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kurbinit në zgjedhjet e 14 majit, Behar Haxhiu.

Nga atje Berisha deklaroi se kandidati i “BF”, i ka futur frikën kryeministrit Rama që në hapat e parë të fushatës së tij, ndërsa Rama “kalon nga sheshi në shesh me një fjalor të ngjashëm me të një halabaku”.

Berisha vijoi duke i dalë në mbrojtje kandidatit të tij, duke shtuar se Haxhiu nuk ka shkruar ndonjëherë fjalimin në duar për ta lexuar më pas në kuvend, duke akuzuar kryeministrin Rama se ka bërë këtë veprim.

“Që në hapat e parë të garës së tij, Behar Haxhiu i ka futur lepurin në bark një njeriu që kalon nga sheshi në shesh me një fjalor të ngjashëm me të një halabaku, ordiner dhe mbeti duke cituar Behar Haxhiun. Edi, Behari është një njeri punëtor dhe të dy keni qenë qeveritarë vendorë. Behari ka qeverisur shumë vite komunën e Milotit, ti nga partia jote bashkinë e Tiranës. Kur ike nga Tirana raporti i OSBE të akuzoi se ke vjedhur 200 milionë euro dhe i ke fshehur në off-shore. Të lash gojën ti kur të përmendësh Beharin.

Së dyti, nuk ke asnjë gojë e të drejtë të flasësh për një tjetër. Të perifrazosh një fjalë që tha se do ta marrin fjalën të tjerë më të shkolluar. Të garantoj prej 32 vitesh Behari nuk ka shkruar fjalë në duar që t’i lexojë në parlament si puna jote. Ai ka frikë se ka bërë kërdinë me këtë zonë këtu dhe tani e di që do i dalin të gjitha defterët.

Edi Rama ngushëllon shpirtin e tij duke bërë thirrje që qytetarët të mos dalin në votime. Thotë aman aman më falni, nuk ka Edi Rama. Vota e shqiptarëve do të të ndëshkojë në datën 14. Je i pashpresë. Shqiptarët në 14 do votojnë ndryshimin. Në këto 10 vite ti i varfërove nga viti në vit. Edi Rama ti ndërhyre te ccmimet duke krijuar bordet komuniste. Ato janë të dobishme për qeveritë si ti.

Me buxhetin 5 miliardënë vit mund t’i rriste rrogat 3 herë, po aq edhe pensionet, por nuk donte se për qytetarët mbante moton “Në Shqipëri nuk vdes njeri urie”. Rama ndërtoi një administratë që bojkotoi qytetarin dhe funksiononte si të pasuroheshin zyrtarët e qeveritarët.

A mundet kryetarja e bashkisë së Kurbinit, një qytet që u godit nga tërmeti, të arredojë zyrën me 160 mijë euro? Janë një sekt që nuk kanë asnjë të përbashkët me qytetarin. Behar Haxhiu të gjithë kandidatët tanë në fakt, me studime në mënyrë që jetën tuaj ta përmirësojë e të shënojnë ndryshimin. E keni parë palën tjetër çfarë kanë paraqitur? Dancin e saj në buzuk.
Le të kërcejnë në buzuk por qytetarët kanë probleme të tjera. Danci i tyre nuk zgjidh problemet e qytetarëve, por duan të fshehin problemet e mëdha të krijuara në komunitet. U them qytetarëve që me 14 maj dallimi për të cilët votoni është ndryshimi”, u shpreh Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.