Sat, Nov 23, 2024

KPA riçel hetimin për gjyqtaren e Apelit, Irena Brahimi

  • PublishedMay 11, 2023

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten parashtrimet e palëve në çështjen ndaj gjyqtares së Apelit të Përgjithshëm, Irena Brahimi, konfirmimi i të cilës në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik 2020 është ankimuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa.

Në seancë, Ballhysa tha se Komisioneri kërkonte rihetim të çështjes duke e lënë të hapur qëndrimin përfundimtar për lënie në fuqi ose shkarkim, në varësi të rezultateve të rishqyrtimit.

Subjekti nga ana e saj këmbënguli lënien në fuqi të vendimit të KPK, pavarësisht se edhe ajo kërkoi riçelje të hetimit dhe depozitoi një sërë provash të reja sa i përket kritereve të pasurisë dhe profesionalizmit.

Trupa që po shqyrton rastin kryesohej nga gjyqtarja Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz.

Mbi pasurinë

Në parashtrimet e çështjes, Komisioneri Ballhysa vuri në dukje se i qëndronte ankimit dhe kërkoi hetim ngaa KPA për pasurinë dhe profesionalizmin e subjektit. Ballhysa kërkoi rishqyrtim sa i përket mundësive për kursim dhe shpenzimeve të udhëtimit.

“Komisioneri Publik, në vlerësim të kriterit të pasurisë, është bazuar në aktet e administruara dhe rrethanat e çështjes, të cilat, në gjendjen që janë, paraqesin nevojën për riçeljen e hetimit gjyqësor, pasi konstatohet se hetimi administrativ i kryer nga Komisioni nuk ka qenë i gjithanshëm, i plotë dhe shterues”, u shpreh Ballhysa.

Ai kërkoi hetimin e mundësisë së kursimit në vitet 2006-2008, mundësinë për shpenzimet e shkollimit të vajzave dhe udhëtimet e bashkëshortit që ishin paraqitur si udhëtime pune, por që sipas Ballhysës kishin nevojë për verifikime.

Në krahun tjetër vetë Brahimi kërkoi riçelje të hetimit dhe paraqiti një sërë provash të reja mbi pasurinë dhe profesionalizmin.

Gjyqtarja tha në seancë se ajo kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe i kërkoi Kolegjit që t’i referohej vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në çështjes “Sevdari kundër Shqipërisë” sa i përket të ardhurave të bashkëshortit që dukeshin të pa dokumentuara.

Gjyqtarja që lexoi shpejt qëndrimet e saj argumentoi në disa raste se të ardhurat e saj i kishin lejuar kursimet dhe shpenzimet e kryera. Ajo tha se kishte sjellë prova sa i përket bursave të fituara nga vajzat dhe po ashtu ehde prova që dëshmonin se udhëtimet e bashkëshortit në Janinë ishin mbuluar nga puna.

Diskutimi mbi profesionalizmin

Sa i përket profesionalizmit trupa siç doli në seancë nuk qe e qartë mbi kërkimin e Komisionerit. Relatori i çështjes Sokol Çomo, kërkoi shpjegime nëse Ballhysa kërkonte apo jo hetim të profesionalizmit. Ky i fundit këmbënguli dy herë se kërkonte rishqyrtim.

Duke iu referuar vendimit të KPK dhe një korrigjimi të këtij vendimi sa i përket një çështje të dërguar për procedim disiplinorë, Ballhysa tha se Komisioneri nuk mund të dilte në përfundim, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk kishte bërë arsyetim.

I pyetur nga Çomo Ballhysa tha se vendimi i Komisionit sa i përket këtij momenti ishte në “kufijtë e pavlefshmërisë”.

Diskutim pati edhe sa i përket një denoncimi publik mbi një çështje që Komisoneri tha se e kishte marrë në kohën kur po përpilonte ankimin. Siç doli në seancë bëhej fjalë për një link të një materiale denoncues lidhur me shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale për një aksident me tre viktima në vitin 2016.  Siç doli në seancë gjyqtarja në Apel i kishte dhënë pafajsi shoferit me inicial H.D., ndërsa denoncimi pretendonte se një video tregonte qartë se ky i fundit kishte qenë fajtor në përplasje.

Brahimi pretendoi në seancë se një video që kishte filmuar përplasjen e dy makinave ishte e paqartë për shkaktarin determinant të aksidentit. Ajo tha se fajësia e H.D nuk provohej tej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe se video nuk tregonte momentin e përplasjes, pasi e pengonte një ndërtesë. Ajo solli si provë një vendim të Gjykatës së Lartë që rihapte hetimet ndaj shoferit tjetër, një shtetas nga Kosova.

Komisoneri nga ana e tij vuri në dukje se çështja në fjalë ndaj H.D, ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë si një çështje më vete, ende pa një vendimmarrje.

KPA kërkoi nga Komisioneri të qartësonte kërkimin e tij për këtë rast dhe më pas Kolegji po ashtu kërkoi që materiali, një link në të cilën ishte denoncimi të vendosej në dispozicion në formë të printuar siç ishte marrë në e-mail nga ONM. Në fund të seancës KPA bëri me dije se do të shprehej për këtë denoncim në seancën e radhës.

Trupa pranoi provat, vendosi riçelje të hetimit dhe me shumicë votash vendosi të ribënte analizën financiare të gjyqtares. Seanca e radhës u caktua në 5 qershor.