“I pazëvendësueshëm”, Franca i përulet Mbappe-s, “gjeli” i kualifikon në çerekfinale
Pa Kylian Mbappe, PSG është një ekip normal, nuk të ngjall frikë, por me “gjelin” në formacion, francezët janë në një tjetër nivel. Kapiteni vërtetoi edhe një herë se është thjesht i pazëvendësueshëm për këtë ekip, përballë Real Sociedad ishte pikërisht ai që bëri diferencën duke realizuar një “dopietë” golash. Ylli francez tregoi menjëherë klasin e tij, që në minutën e 15-të, në topin e parë që i erdhi në këmbë, me një veprim personal kaloi PSG në avantazh.
Me fillimin e pjesës së dytë, Mbappe u shkëput shpejt duke realizuar golin e dytë, një gol që praktikisht mbylli sfidë, në një kohë kur PSG kishte fituar 2-0 edhe sfidën e parë. Sociedad u përpoq të rikthehej në lojë, por goli i Merino erdhi vonë, në minutën e 89-të, duke mos i prishur festën francezëve që siguruan një biletë për në fazën çerekfinale.
Pavarësisht luftës së fortë të zhvilluar mes palëve, për largimin e tij me parametra zero, të gjithë në Francë përulen përpara Mbappe: “I pazëvendësueshëm”, shkruan L’Equipe në faqen e parë.
()