I dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës, publikohet momenti i arrestimit të Ibrahim Licit në Turqi
Mediat turke kanë publikuar momentin e arrestimit të Ibrahim Licit, i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës në maj të vitit 2021.
Lici, u ndalua muajin e kaluar në Turqi. Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u arrit nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe kur u kap, Licit iu gjet pistoletë dhe dokumente të falsifikuara belge.
Por, sipas vëllait të tij, Hamza Licit, ai nuk u arrestua nga policia, por u vetëdorëzua, me qëllimin për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndjehet i sigurt në Shqipëri.
Ibrahim Lici, prej disa vitesh ka qenë në listën e personave më të kërkuar nga Policia e Shtetit. Madje për arrestimin e tij Policia vuri si shpërblim një shumë e madhe parash, për cilindo që jepte informacion, duke e vendosur atë mes pesë personave më të kërkuar. Lici, i biri i drejtuesit të fisit Lici, akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2021, në lagjen Guerrile, Shkodër.
Viktima u gjet në bregun e liqenit me 6 plumba në trup. Për vrasjen, u arrestuar një 15-vjeçar, shtetasi me inicialet E.M., pasi dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i Licit në vrasje. Pas ngjarjes, para autoriteteve, adoleshenti tregoi vendin se ku ishte lënë në arma e krimit.
Mustafa ishte person me precedent të mëparshëm penal dhe i skeduar nga Policia e Shtetit për disa ngjarje të tjera. Në 2016 u arrestua me 3 shtetas të tjerë si autorë të veprave penale “Vjedhje me armë”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasve me iniciale E.Gj dhe G.M, ngjarje për të cilën edhe u dënua.
AlbaniaWeb.net