Intervista për SportItalia / Presidenti Duka: Asllani, një Modriç i vogël. Presim Kumbullën, Gjimshiti një lider
Dëmtimi që detyroi mesfushorin Hakan Çalhanoglu të mungonte në tre ndeshjet e fundit të Interit kishte shqetësuar jo pak tifozët zikaltër. Ndalesa e tij, megjithatë, kishte anën pozitive të medaljes: Kristjan Asllani, i thirrur për ta zëvendësuar, pati shansin të luante si titullar në disa ndeshje delikate (me Leçen, Atalantën dhe Xhenoan), duke dhuruar paraqitje tejet pozitive dhe duke gjetur madje golin të hënën e kaluar, i pari për të në Serie A me fanellën zikaltër.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median italiane “SPORTITALIA” ku ka folur për yllin shqiptar të Interit, si dhe rikthimin në fushë pas dëmtimit të gjatë të Marash Kumbullës dhe lojtarit të preferuar te Gasperinit tek Atalanta, Berat Gjimshiti.
– Asllani shënon gol, pas disa paraqitjeve të shkëlqyera: rivalizon me një lojtar si Çalhanoglu, por a po e dëshmon tani se është një lojtar i duhur për Interin?
– Fillimisht, dua të them se u gëzova shumë për golin e parë të Asllanit në Serie A me Interin. Ka punuar shumë për të arritur deri këtu dhe mendoj se e ka merituar plotësisht këtë moment të bukur që po kalon. Aq më tepër që rivalizon me lojtarë të kalibrit të Çalhanoglu në mesfushën e Interit apo yje të tjerë.
– A mund të bëhet edhe ai një mesfushor i madh si ata me të cilët luan tek Interi?
– Unë e kam thënë edhe në të kaluarën dhe e përsëris: Kristjani është ende i ri, ai ka potencial të jashtëzakonshëm, aftësi të larta teknike dhe cilësitë e duhura për t’u bërë lojtar i madh.
Fakti që tani po shkëlqen me Interin dëshmon qartë se është një talent i madh. Duke parë vazhdimisht rritjen e tij, isha i bindur se në momentin që parë që do t’i jepej mundësia për të treguar vlerat tek Interi, ai do ta shfrytëzonte në maksimum dhe kështu ndodhi.
– Cili është objektivi i tij i radhës tashmë?
– Tani shpresoj që ai të vazhdojë me këtë ritëm dhe të luajë sa më shumë, të vazhdojë rritjen dhe sigurisht të jetë në formë për finalet e Euro “Gjermani 2024”. Një këshillë kam për të: le ta shijojë këtë moment, por të qëndrojë i përulur, me këmbë në tokë dhe të punojë akoma më shumë për t’u përmirësuar në çdo aspekt.
– Në kontekstin aktual të mesfushës së Interit, a e shihni Asllanin akoma në rritje?
– Kristjan ka një uri dhe vendosmëri të madhe për të arritur majat. Transferimi në moshë të re ne një klub të madh si Interi kishte shumë risqe, por ai ia ka dalë të ruajë ekuilibrin e duhur.
– Dhe si ia ka dalë mbanë sipas jush?
– Këmbëngulja për të qëndruar tek Interi, ku konkurrenca sidomos në mesfushë është shumë e madhe dhe kur të gjithë mendonin se ai duhet të transferohej në një skuadër tjetër për të fituar më shumë minuta loje, konfirmoi bindjen dhe besimin që ai kishte në aftësitë e veta. Ka treguar durim dhe maturi të madhe, duke punuar shumë, duke mos u demoralizuar dhe duke pritur shanset për të luajtur. Tashmë ka pjekurinë e duhur për të luajtur rregullisht me Interin dhe me paraqitjet e fundit e ka vënë “nën presion” trajnerin Inzaghi. Padyshim, Asllani gëzon një formë të mirë dhe meriton më shumë minuta. Jo më kot unë e kam krahasuar atë me një yll të futbollit…
– Kujt po i referoheni?
– E kam fjalën për Luka Modriç: kam bindjen që Asllani do të bëhet lojtar i madh. Objektivi i tij primar është të bëhet titullar tek Interi dhe mendoj se është në rrugën e duhur.
– Tek Atalanta thuajse të gjithë i nënshtrohen procesit të rotacionit mes fushës dhe stolit, por Gjimshitit i ndodh shumë rrallë. Çfarë mendoni për të?
– Berat Gjimshiti është kapiten i Kombëtares shqiptare dhe shiritin e ka merituar plotësisht për kontributin e tij të vyer fushën e lojës me fanellën kuqezi. Ai është një djalë i shkëlqyer dhe një futbollist i nivelit botëror, i cili ka karakteristikat e një lideri të vërtetë në fushë.
Nuk habitem fare me rendimentin e tij pozitiv dhe për faktin që është titullar i padiskutueshëm tek Atalanta. Edhe me Kombëtaren ai është një nga shtyllat kryesore të skuadrës. Meriton gjithçka, sepse është një futbollist i kompletuar dhe ka punuar shumë për të ardhur deri këtu.
Rritja e tij në sezonet e fundit ka qenë graduale, e qëndrueshme dhe e konsiderueshme. Arrin të bëjë një perfomancë pozitive konstante në çdo ndeshje, si me klubin ashtu edhe me Kombëtaren shqiptare. Diçka e rrallë për një futbollist profesionist. Uroj shumë të vazhdojë të luajë në nivele të larta për një kohë sa më të gjatë.
– A keni folur me Kumbullën pas rikthimit në fushë? A do të jetë ai gati për finalet e Euro 2024?
– Më vjen mirë që është rikthyer në fushë pas atij dëmtimi të rëndë që pësoi vitin e kaluar. Ishte trishtuese dhe sapo mora lajmin atëherë i kam uruar shërim të shpejtë. Është një nga të rinjtë me perspektivë të Kombëtares shqiptare dhe një futbollist i rëndësishëm për ne. Besoj se mori vendimin e duhur për t’u transferuar te Sasuolo, ku mund të ketë më shumë minuta loje. Kumbulla është djalë ambicioz dhe kam bindjen se do të punojë fortë për të rigjetur formën e mëparshme dhe për të qenë gati për finalet e Euro 2024. Ka kohën e mjaftueshme për të rikuperuar kohën e humbur për shkak të dëmtimit dhe për t’u përgatitur sa më mirë. Mezi e presim ta kemi sërish në Kombëtare për të dhënë kontributin e tij me fanellën kuqezi.
– Në finalet e Euro 2024, Shqipëria është në një grup me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. A mund t’i befasojë të gjithë?
– Para së gjithash, Shqipëria duhet ta shijojë në maksimum këtë pjesëmarrje në finalet e Euro 2024. Lojtarët dhe stafi teknik kanë bërë një punë të shkëlqyer në fushatën kualifikuese dhe e kanë merituar plotësisht këtë sukses.
Thënë kjo, ne shkojmë në Euro 2024 për të bërë maksimumin dhe për të sfiduar çdo kundërshtar, pavarësisht së përballë kemi emra të mëdhenj të futbollit botëror. Nëse shkon në finalet e një turneu të madh është normale që të ndeshesh me më të fortët.
– Sa shanse sheh për Shqipërinë në këtë grup?
– Shorti na ka vënë përballë ish-kampionëve të Botës dhe Europës, Italisë dhe Spanjës, por edhe Krocisë, gjithashtu një emër i madh. Është e kotë të flasësh për forcën e këtyre kundërshtarëve, historia e tyre dëshmon qartë se kush janë.
Por unë besoj se ne kemi një skuadër të mirë, kemi shumë cilësi dhe i kemi mundësitë për të tentuar kalimin e grupit. Në futboll surprizat janë të zakonshme tashmë dhe nuk do të ishte çudi nëse Shqipëria kalon grupin. Uroj të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, të jenë në formë të mirë dhe të mos kemi dëmtime.
Një gjë është e sigurt: lojtarët do të jenë të karikuar në maksimum për të bërë mirë në këtë turne. Do të kemi dhe mbështetjen e pakursyer të tifozëve tanë fantastikë, të cilët do t’i veshin stadiumet me ngjyrat kuqezi dhe do ta motivojnë shumë Kombëtaren në fushë, ashtu siç bënë edhe në Euro 2016.