Zbulim mbresëlënës dhe historik/ Arkeologët gjejnë rastësisht 8 varre masive me mbi 1000 skelete njerëzore, si do t’i shërbejnë studiuesve
Arkeologët gjermanë kanë zbuluar atë që mund të konsiderohet si varri masiv më i madh i gërmuar ndonjëherë në Evropë, i cili u zbulua gjatë gërmimeve në Gjermaninë jugore.
CNN shkruan se deri tani janë gjetur rreth 1,000 skelete njerëzore, që dyshohet se janë viktima të një epidemie murtaje, në qendër të qytetit të Nurembergut. Sipas ekspertëve mendohet se në këtë vend, mund të jenë në total rreth 1500 skelete.
Këto skelete njerëzore u zbuluan gjatë një studimi arkeologjik përpara ndërtimit të ndërtesave të reja të banimit në qytet. Melanie Langbein, nga departamenti për ruajtjen e trashëgimisë në Nuremberg, tha për CNN se u identifikuan tetë gropa ku varroseshin njerëzit që vdisnin nga murtaja, ku secila gropë kishte qindra trupa.
Arkeologëve iu desh të punonin në një urë të improvizuar, për shkak të densitetit të lartë të varrimeve.
Sipas saj, kjo tregon se për shkak të numrit të madh të viktimave nga murtaja, nuk ka pasur kohë që të kryheshin varrime të veçuara, por u zgjodhën ato masive.
Nuremberg përjetoi shpërthime të shpeshta të murtajës, afërsisht çdo 10 vjet nga shekulli i 14-të e tutje, tha ajo. Skeletet mendohet se datojnë nga epidemia e murtajës e vitit 1632-1633.
Arkeologët përdorën datim radiokarboni për të përcaktuar kohën e një varri masiv nga fundi i viteve 1400 dhe fillimi i viteve 1600, dhe gjetën copa qeramike dhe monedha që datonin nga fundi i mëvonshëm i asaj periudhe.
Ata zbuluan gjithashtu një shënim nga viti 1634 që përshkruan në detaje një shpërthim të murtajës, që u mori jetën më shumë se 15,000 njerëz në 1632-1633, Kjo do të thotë se pothuajse 2,000 njerëz u varrosën pranë Spitalit të Shën Sebastian, vendi i gërmimit aktual, tha Langbein.
Kjo dëshmi e çoi ekipin në përfundimin se grupi më i vjetër i skeleteve njerëzore ndoshta daton nga epidemia e viteve 1632-1633.
Julian Decker, kompania e të cilit ‘In Terra Veritas’ po kryen gërmimet, tha për CNN se ishte i befasuar nga zbulimi.
“Nuk kishte asnjë indikacion për të supozuar se kishte varre në këtë zonë ku po kryheshin gërmime,” tha ai, duke shtuar se kur u zbuluan skeletet e para, mendoi se mund të ishin nga sulmet e bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore.
Varret përmbajnë një mostër përfaqësuese të shoqërisë në atë kohë, thonë studiuesit, duke i lejuar ata të shqyrtojnë karakteristikat e popullsisë.
“Ne mund të eksplorojmë me mjete statistikore madhësinë dhe demografinë e qytetit, me të njëjtat mjete që do të bënte një ekip modern i regjistrimit me një popullsi të kohëve të fundit,” tha Decker, duke përfshirë përqindjen e fëmijëve dhe të rriturve, grave dhe burrave dhe shëndetin e përgjithshëm.
“Teknikisht ne mund të zbulonim se sa përqind ishin mëngjarashët,” shtoi ai.
Po ashtu thuhet se do të ketë gjithashtu bashkëpunime me institucionet e interesuara për disa aspekte studimesh, duke përfshirë analizimin e gjenomit të murtajës dhe hetimin e vezëve të parazitëve në tokë, shtoi ajo.
“Ne po planifikojmë gjithashtu një ekspozitë, por kjo do të marrë pak kohë, kështu që vjeshta e vitit 2025 do të ishte më e hershmja që mund të jemi gati,” tha Langbein.
AlbaniaWeb.net