Zgjedhjet/ “Kandidati i PS-së në Kavajë duhet të tërhiqej pas fyerjeve të Ramës”, Oketa: Arsyet përse Cara ka avantazh në Durrës!
Në emisionin “Frontline” në News24, Gazment Oketa u shpreh se fushata elektorale për 14 majin ka shënuar sipas tij regresin më të madh.
Gjatë intervistës në studion me gazetaren Marsela Karapanço ai gjithashtu tha se në këtë garë elektorale qytetarët duhet të kishin parë përballje të kandidatëve, për të prezantuar gjithashtu edhe programet e tyre.
I ndalur tek fushata në Durrës dhe në qytete të tjera të vendit, ai tha se Igli Cara duket se është në avantazh në garën për Bashkinë e Durrësit.
Ndër të tjera Oketa u ndal edhe tek deklarata e kryeministrit Rama në Kavajë, për të cilën tha se ishte ofenduese dhe se sipas tij, kandidati i PS për Kavajën Redjan Krali do të duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas atij ofendimi publik..
“Zoti Cara është në avantazh. Kjo për arsye sepse Durrësi ka nevojë ulëritëse për ndryshim. Gjykoj se ka nevojë për një model të ri të drejtimit të Bashkisë së Durrësit. Do të kisha dashur që zonja Sako t’u përgjigjej ftesave të zotit Cara për një debat publik. Ka një kontradiktë të fushatës së zonjës Sako, nga njëra anë e sulmon zotin Cara si një kukull, por nga ana tjetër dëshmon se është vetë ajo një kukull. Do të ishte mirë të krijonte një profil të pavarur. Pas deklaratës skandaloze të zotit Rama në Kavajë, nuk e perceptoj se do të votojnë për PS, pas atij ofendimi publik. Do të ishte dinjitoze që kandidati socialist të tërhiqej, pasi në gjykimin tim, i nguli thikën pas shpine kandidatit të tij. Nuk e di nëse ishte në efektet të një alkooli apo të përdorimin të ndonjë substance tjetër këtë e di vetëm ai”, tha ndër të tjera Oketa, duke shtuar: “Rama duket se po përdor një lojë e ulët e kryeministrit që me makinacione të ndryshme që në mos të fitojë të ngushtojë rezultatin e zgjedhjeve në Shkodër”.
Ndërsa komentoi gjuhën e përdorur nga kryeministri Rama, Oketa i qëndroi mendimit se ka përdorur një fjalor denigrues dhe bullizues ndaj kundërshtarëve.
“Kjo fushatë ndoshta shënon regresin më të madh . Kryeministri filozofinë e fushatës do të duhet të ndërtohej mbi arritjet si edhe programin e kandidatëve për bashkitë e vendit. Por ka qenë e bazuar në gjuhë denigruese, fyese e bullizuese për opozitën dhe përfaqësuesit e saj. Nëse do të përdorja një shprehje , pak a shumë si kryeministri Rama do të thoja që qytetarët shqiptarë kanë parë gjatë këtyre ditëve një zorrë të gjatë që flet për një zorrë qorre. Paradoksi i politikës shqiptare ka arritur aty ku zoti Rama duke qenë se i kontrollon të gjitha pushtetet, e vetmja gjë që i kishte mbetur ishte opozita, gjë për të cilën edhe në këtë pjesë ndërhyri. Do të ishte krejt normale që gjatë fushatës të kishim ballafaqime midis kandidatëve, mos-ofrimi i një mundësie të tillë kandidatëve e bën në këndvështrimin tim, fushatën më të dobët”, tha ndër të tjera ai.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–