”UEFA Development” U-16 për djem / Shqipëria e mbyll me fitore, këto janë rezultatet e turneut
Turneu “UEFA Development” U16 për djem është mbyllur sot me ndeshjet e treta dhe të fundit në “Shtëpinë e Futbollit”.
Shqipëria U-16 triumfoi në takimin ndaj San Marinos me rezultatin 3-1. Kuqezinjtë dominuan sfidën dhe golat i shënuan, Jordan Luan Kinnavong x2 dhe Leon Darius Myrtaj.
Trajneri Ardi Behari hodhi në fushë këtë formacion titullar: Erno Mustafa (GK), Darli Kurti, Fabian Nuhaj, Frensi Mali, Agon Bajrami, Ernesto Marqeshi, Serxho Vogli, Emiljano Mihana (C), Leon Darius Myrtaj, Jordan Luan Kinnavong, Flavio Shkëmbi.
Ndeshja nisi mirë për kuqezinjtë që gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 9-të. Jordan Luan Kinnavong goditi saktë me kokë nga brenda zonës dhe shënoi një gol të bukur.
Në minutën e 23-të Shqipëria dyfishoi rezultatin me Leon Darjus Myrtaj. Ndërsa katër minuta më vonë në të 27-ën, San Marino gjeti rrugën e rrjetës dhe ngushtoi diferencën.
Pjesa e parë përfundoi 2-1, ndërsa në fraksionin e dytë kuqezinjtë shënuan edhe një tjetër gol. Jordan Luan Kinnavong realizoi golin e tretë dhe të dytin personal, në minutën e 52-të.
Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe sfida përfundoi 3-1 në favor të Shqipërisë. Trajneri Ardi Behari pati mundësinë të aktivizonte të gjithë lojtarët e grumbulluar në këtë turne, teksa regjistroi dy fitore ndaj Belizes dhe San Marinos, ndërsa sfida me Kosovën përfundoi në barazim dhe më pas u fitua nga dardanët me penallti.
Po sot në “Shtëpinë e Futbollit” u luajt takimi Kosovë-Belize, që përfundoi me fitoren e dardanëve 3-0.
Kalendari dhe rezultatet e ndeshjeve në turneun “UEFA Development“
Ndeshjet e para (2 mars)
San Marino-Kosovë 2-2 P(5-6)
Shqipëri-Belize 9-0
Ndeshjet e dyta (4mars)
Belize-San Marino 1-1 P(4-2)
Shqipëri-Kosovë 2-2 P(2-3)
Ndeshjet e treta (7 mars)
Kosovë-Belize 3-0
Shqipëri-San Marino 3-1