Denoncimi i Fiks Fare mbi fëmijët që ushqeheshin me pilaf e makarona, Reagon Bashkia Shkodër: Tenderi do të ribëhet
Kronika e realizuar nga emisioni Fiks Fare në kopshtin shtetërore “Njomëzat” ka vënë në lëvizje menjëherë Bashkinë Shkodër.
Institucionin i cili ka kompetenca të plota mbi stafin, ushqimin dhe infrastrukturën e të gjitha kopshteve shtetërore që ushtrojnë aktivitet në territorin e saj.
Benet Beci, kryetari i bashkisë në një postim të gjatë zyrtar që në krye të herës falenderon emisionin Fiks-Fare për ngritjen e problematikës dhe pohon se problematika të njëjta me ato të ngritura në emisionin investigativ janë hasur edhe nga kontrollet që bashkia ka bërë.
Kujtojmë se vetëm 2 ditë më parë emisioni Fiks Fare solli një skandal që ndodhte me ushqimin dhe trajtimin e fëmijëve në një kopsht shtetëror në Shkodër.
Fiksi solli fakte të pakundështueshme që fëmijët ushqeheshin vetëm me pilaf dhe makarona, ndërkohë në fatura shkruhej bulmet dhe mish. Drejtoresha u përpoq gjithë kohën të gënjente gazetarët për situatën , por bashkia pranon gjithë problematikat në kopsht.
Në reagimin e publikuar nga kryetari Beci, thuhet se bashkia e cila ai sot drejton ka vepruar në kundërshtim me udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi sipas tij në këtë bashki nuk është zbatuar urdhëri nr. 457 i datës 13 qershor 2018 deri në tenderin e fundit që ka nisur në mars 2023 dhe përfundon në 31 mars 2024.
Kështu Bashkia Shkodër ka vendosur të ndërmarrë disa hapa sipas z. Beci ndër të cilat:
-Të ristrukturohet plotësisht drejtoria përkatëse.
-Të ristrukturohen stafet, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
Gjithashtu do bëhet hapja e tenderit bazuar udhëzimeve në fuqi, të cilat parashikojnë larmishmëri dhe sasi më të madhe ushqimi për fëmijët.
Bashkia Shkodër pas publikimit të rastit njofton se ka gjetur disa shkelje në kopsht, për të cilat zotohet se do marrë menjëherë masa disiplinore për stafin dhe pranon se nuk është ofruar ushqim për fëmijët në bazë të udhëzimeve.
Duke shtuar mungesë të theksuar të produkteve ushqimore në kundërshtim me menynë e afishuar në kopsht. Ndër shkeljet ishte dhe numri i pasaktë i fëmijëve që përfitojnë shërbim ushqimor.
Gjithashtu nuk është gjendur kuzhinierja në vendin e punës.
Z. Beci e nis dhe mbyll reagimin me falenderimin për emisionin Fiks-Fare, duke kërkuar edhe vëmendjen e publikut për sinjalizime të ngjashme.
AlbaniaWeb.net