Thu, Nov 28, 2024

Plagosja e dy personave në Shkodër, mbërrin Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku

  • PublishedMarch 12, 2024

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullaku ka mbërritur në Shkodër, aty ku pak më parë u qëllua më armë zjarri drejt dy personave.

Gjergj Ndërshtiqaj dhe Gjon Nika u qëlluan në fshatin Grudë e Re, në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, në afërsi të një lokali. Sipas policisë, shënjestra ishte 28-vjeçari Gjergj Ndërshtiqaj, ndërsa si pasojë e të shtënave është plagosur edhe 30-vjeçari Gjon Nika, kunati i tij, Ky i fundit është student në Akademinë e Sigurisë.

Dy të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore. Gjatë kontrollit të zonës ku ndodhi ngjarja për kapjen e autorëve, policia ka konstatuar duke u djegur një automjet tip ” Renault”, i cili dyshohet se i përkiste autorëve dhe është përdorur nga ata.

“Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.


AlbaniaWeb.net