14 vite pritje, Arsenal “fluturon” në çerekfinale, Arteta: Janë shumë për një klub si ne
14 vite pritje për të shijuar edhe një herë fazën çerekfinale të Champions League. Arsenal e bën dramë kualifikimin përballë Porto-s, nuk mjaftoi as koha e rregullt, as shtesa, për të shpallur një fitues, por gjithçka u vendos nga ruleta e penalltive. Ekipi i Arteta-s ishte superior në çdo aspekt, por e kishin të vështirë të ishin efikas në zonën e Porto-s, krijuan 14 raste, goditen 4 herë kuadratin. Më në fund, pas disa tentativa, Arsenal gjeti golin e avantazhit në minutën e 41-të me Trossard.
Në pjesën e dytë, “topçinjtë” kërkuan me çdo kusht të gjenin golin e kualifikimit, por kur e arritën në minutën e 67-të, gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për faull në sulm. Deri në përfundim të kohës së rregullt, Arsenal tentoi në çdo formë të gjente golin e dytë që do t’i dhuronte një biletë për më tej, në një kohë kur sfida e parë në Porto kishte përfunduar 1-0 në favor të portugezëve. As shtesa nuk solli ndryshim në rezultat, duke bërë që fati i këtij takimi të vendosej nga goditja e penalltive, aty ku Porto gaboi në dy tentativa, ndërsa Arsneal realizoi saktë 4 nga 4 penalltitë duke kaluar më tej në Champions League.
Feston për këtë kualifikim trajneri Arteta: “Kanë kaluar 14 vite që Arsenal nuk vjen në këtë fazë, janë shumë për një klub si Arsenal. Është e jashtëzakonshme të jemi në këtë fazë të Champions League, jemi pikërisht aty ku duhet të jemi”, u shpreh ndër të tjera Arteta.
()