“Do të merrem personalisht me ju”/ Nga deklaratat e Belerit për helenizimin e Himarës, te paralajmërimet e Ramës, arrestimi në mesnatë që prishi qetësinë e fushatës dy ditë para zgjedhjeve
Një arrestim në mesnatë në Jug të vendit prishi qetësinë e fushatës së 28 ditëve për zgjedhjet e 14 majit për qeverisjen vendore. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri u arrestua nga policia pas një hetimi të përbashkët me Prokurorinë e Vlorës në ambientet e jashtme të një lokali në Vlorë. Bashkë me të u arrestuan dhe tre persona të tjerë.
Arrestimi i Belerit një eksponenti të njohur të minoritetit grek në Jug të vendit dhe shumë të përfolur, solli reagimin jo vetëm të opozitës, por edhe maxhorancës shqiptare dhe Athinës zyrtare, teksa 24 orë na ndani nga heshtja zgjedhore.
Por çfarë ndodhi para arrestimit të bujshëm?
Gjithçka nisi pas deklaratave të Belerit për mediat greke ku foli për helenizimin e Himarës në rast se ai do të fitojë. “Zgjedhja ime do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë, të cilat i falënderoj me gjithë zemër, do të ndihmojë në bashkëpunimin mes dy vendeve, një kusht i nevojshëm për përparimin tonë. Ne duam të shohim vendin tonë të përparojë dhe helenizmi i tij të përparojë në vend të tij”, ka thënë Bejleri.
Kjo gjë solli deklarata të forta nga Tirana, ku aktorë të ndryshëm politikë kërkuan dënimin e gjuhës së kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Pak orë para arrestimit ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili në një intervistë për “Opinion” i bëri thirrje emigrantëve të mos bien pre e kërcënimeve të stafit të Belerit dhe vetëm dy orë më pas startoi operacioni që e çoi në pranga.
Rama e cilësoi Belerin një maskara që ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët shqiptarë në Greqi që të votojnë për të më 14 maj. Ai tha se Napolon Çakalli dhe Spiro Koka janë personat që kërcënojnë emigrantët se do iu grisin letrat greke.
Kreu i qeverisë i paralajmëroi këta dy persona se do të merret personalisht me ata.
Fredi Beleri u arrestua pak minuta pasi kishte kaluar mesnata. Ai u dërgua fillimisht në komisariatin e Himarës, por pasi banorët e Himarës “rrethuan” policinë, u transferua në Drejtorinë e Policisë në Vlorë ku iu komunikua urdhër arresti.
Në orët e para të mëngjesit nisën dhe reagimet nga Athina zyrtare. Ambasadorja e Greqisë në Tiranë mbërriti në Ministrinë e Jashtme për të takuar ministren Ola Xhaçka, por u prit nga një zyrtar i ministrisë.
Ndërkohë që kryediplomati grek, Nikos Dendias pati një telefonatë me kryeministrin Edi Rama për çështjen pasi kishte informuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Reagime pati dhe në Tiranë nga maxhoranca dhe opozita. Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi hakmarrje të verbër dhe tha se e gjitha bëhet për tokat e Himarës. Po kështu kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta e cilësoi rrëmbim mafioz dhe iu bëri thirrje qytetarëve dhe strukturat opozitare në Himarë të jenë në këmbë, të fuqizojnë në maksimum fushatën dhe të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit.
Kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë.
Teksa tashmë është e sigurt që Fredi Beleri nuk do të jetë i lirë të paktën deri të dielën kur të mbahen zgjedhjet, ajo që nuk mund të thuhet me siguri është se 14 maji do të jetë një ditë e qetë në Himarë apo në aksin Tiranë- Athinë, pas asaj që ndodhi mesnatën e të premtes.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–