“Humbje që djeg”, Inzaghi tani rezervon Serie A, Simeone: Dua më shumë
Në momentin më të mirë, atëherë kur dukeshin të pathyeshëm, Inter bie keq në Madrid, pëson një eliminim të rëndë nga Atletico, me Inzaghi-n që mori një leksion të pastër futbolli, në Champions duhet gjithnjë diçka më shumë, mbi të gjitha duhet sakrificë. Ky eliminim, në këtë formë, i lë një shije të hidhur teknikut zikaltër:
“Skuadra nuk është mësuar të humbas, por ky eliminim na djeg pasi e kishim kualifikimin në dorë. Na vjen keq, por jam super krenar që jam trajneri i këtij grupi. Kemi dal nga Champions dhe Kupa e Italisë pas kohës shtesë dhe penalltive, tani kemi dhe 10 ndeshje në Serie A për të arritur një objektiv shumë të rëndësishëm”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.
Luajti ndeshjen e tij nga pankina deri në sekondën e fundit Diego Simeone. Trajneri i Atletico Madrid zbuloi edhe sekretin e këtij ekipi: “Kemi një avantazh të madh, tifozët tanë. Stadiumi ishte plot edhe pse vinim pas dy ndeshjeve të shëmtuara. Luajtëm një ndeshje të madhe, eliminuam një nga skuadrat më të mira në Europë. Tani sigurisht që do të shohim për më shumë. Ne kishim një plan të qartë, e ndoqëm atë edhe pasi pësuan golin. Këtë herë penalltitë shkuan në favorin tonë”, u shpreh Diego Simone pas ndeshjes.
()