Zgjedhjet lokale/ “Patronazhistët e këtij qyteti, të frikshëm”, PS mbyll fushatën në Durrës, Rama: Patëm debate me grupin e PS për…
Partia Socialiste ka mbyllur sot fushatën zgjedhore për fushatën e 14 majit në qytetin e Durrësit.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama ka bërë një përshëndetje “speciale” për patronazhistët e këtij qyteti, të cilët i ka quajtur “të frikshëm”.
Ai ka shtuar se Durrësi do të rikthehet në portën kryesore të Adriatikut, ashtu siç më parë përdorej nga romakët për të hyrë në territore të tjera.
“Dua t’i bëj një përshëndetje patronazhistëve të frikshëm në Durrës, zgjedhësve dhe zgjedhëseve të PS në Durrës.
Unë jam i bindur që nuk ka një km katror të Shqipërisë që nuk ka potencial për të zhvilluar turizmin. Durrësi është lokomotiva e transformimit ekonomik jo të bashkisë së Durrësit por të republikës së Shqipërisë. Durrësi është kthyer në qendrën e gravitetit të një momenti të zhvillimit tonë ekonomik. Më në fund pas shumë përpjekjesh është vendosur baza dhe janë lodhur edhe gjërat bashkisë.
Me portin e tij turistik, portin e ri tregtar dhe hekurudhën e re Durrësi bëhet një pikë lidhëse për të gjithë hapësirën e rajonit tonë. Durrësi do të rikthehet se s’bën në historinë e asaj porte kryesore të kësaj ane të Adriatikut që romakët e përdorën për të hyrë dhe për t’u shtrirë në territore të tjera”, deklaroi Rama.
Rama ka zbuluar gjithashtu se ka pasur debate me grupin e PS në lidhje me zgjedhjen e Durrësit si qytet ku PS do mbyllte përfundimisht fushatën.
“Patëm disa debate me grupin e PS-së kur u thashë që kjo maratonë do ta ketë stacionin e fundit në qendrën e Durrësit. E merrni me mend se çfarë kanë thënë ata që donin të bëhej në Tiranë, Vlorë e Fier. Duke qenë se s’do bëhej në Tiranë, ata mendonin se duke u bërë atje, do kishte më shumë njerëz se në Durrës. Të gjithë mendojnë se durrsakët nuk janë dhe aq të takimeve përmbyllës, kur në fakt i vihet qershia mbi tortë”, tha ai.