FOTO/ Një zbulim “alla” Kvaratskhelia, Juventus në gjurmët e Mario Mitaj, Giuntoli udhëton në Parma me mision të “fshehtë”
E besoni apo jo, por Mario Mitaj, talenti kuqezi, ka përfunduar në radarët e gjigandit italian, Juventus. Ky lajm i bujshëm bëhet publik nga TuttoSport, një media shumë pranë klubit bardhezi. Nuk është thjesht një thashethem merkatoje, por një objektiv konkret, një profil mbi të cilin po punon Cristiano Giuntoli, drejtori sportiv i “Zonjës së Vjetër”. Mitaj do të jetë i vëzhguari special i Giuntolit në Parma, gjatë miqësores që Shqipëria do të zhvillojë kundër Kilit.
Sipas TuttoSport: Mitaj, një lojtar i ri i ditëlindjes 2003, është një emër për të cilin flitet shumë, i lindur në Athinë, deri në U16 ishte pjesë e Greqisë, por më pas zgjodhi Shqipërinë. Por kush është Mitaj sipas TuttoSport: Për Giuntolin, Mitaj mund të jetë një zbulim i tipit Kvaratskhelia, një futbollist që nuk është ende në kopertinën VIP, por që përfaqëson një lojtar me shumë potencial për të ardhmen. Mitaj luan për Lokomotivë Moskën, lojtar për të cilin klubi rus investoi 3 milionë euro për ta blerë nga AEK. Vlera e tij këtë periudhë është rritur me 5-6 milionë euro, lexohet ndër të tjera në artikullin e TuttoSport.
Mitaj është një nga zbulimet e mëdha të Sylvinho-s, me të në stol, anësori i majtë u kthye në titullar fiks, i pazëvendësueshëm gjatë kualifikueseve “Euro2024”. Mitaj bëri debutimin e tij me fanellën kuqezi më 31 mars 2021, në miqësoren kundër San Marinos, në atë kohë Shqipëria drejtohej nga Edy Reja.
()