Wed, Nov 27, 2024

Analiza/ Prec Zogaj: Një opozitë që ekziston për të mos ardhur në pushtet është një denatyrim, sfidë të madhe…

  • PublishedMarch 20, 2024

Një PD dhe një opozitë e bashkuar rreth vlerave euroatlantike në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar përbën kushtin e parë dhe mundësinë e vetme për të ardhur në pushtet. Veçanërisht në këtë periudhë kur fuqitë e autokratike, autoritariste dhe njëpartike të botës u kanë hedhur demokracive sfidën e minimit të tyre dhe dorashkën e konfrontimit ushtarak, siç është lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës.

Nuk është e tepërt ta përsërisim se euroatlantizmi është për ne demokraci, liri, siguri dhe zhvillim.

Sovranizmi ynë është euroatlantik në përcaktim. Sovranizmi në kuadrin e familjes euroatllantike nuk ka alternativë, përveç sovranizmit të tipit të vjetër të Enver Hoxhës apo rënien në vasalitetin e Rusisë dhe fuqive moniste.

Thënë këtë, harku opozitar në Shqipëri ka sot një sfidë të madhe për të përmbushur: Të dërgoje në kutitë e votimit shumicën antiqeveritare të elektoratit aktiv brenda vendit. Sipas shumë sondazhesh tridhjetë e shtatë-tetë për qind e zgjedhësve mbështesin qeverinë. Pjesa tjetër, mbi gjashtëdhjetë për qind, janë të pakënaqur me të, deklarohen kundër saj, pra janë potencialisht elektorat opozitar.

Cili është dallimi? Dallimi është se 37 përqindshi që mbështesin qeverinë shkon pa firo në kuti, shndërrohet në votë. Ndërkohë, që votat e 63 përqindshit nuk shkojnë në kuti. Çfarë ndodh? Ndodh që në llogarinë e votave që hidhen 38 përqindshi bëhet shumicë.

Fakti që një pjesë e rëndësishme e elektorati të madh antiqeveritar zgjedh të abstenojë tregon se problemi është opozita që nuk arrin të bëhet atraktive, të organizohet dhe të gjejë rrugët e skemat më të mira për të bërë për vete e tërhequr në zgjedhje çdo votues të pakënaqur me qeverinë.

Kjo tryezë e hapur përbën pikënisjen e një dialogu, ballafaqimi dhe debati ndëropozitar për t’i gjetur këto rrugë, këto skema.

Biem dakord se askush nuk ka monopolin e opozitarizmit. Bien dakord gjithë sa jemi këtu por besoj edhe ata që nuk janë këtu se opozita është plurale, një shumësi subjektesh politike me identitete dhe sensibilitete të veçanta. Biem dakord se egozimi dhe interesat thejshtesisht vetjake të njërit dhe tjetrit drejtues apo politikan nuk e çojnë askund opozitën e sotme me problemet e mëdha që ka. Marrëveshja për të mbajtur sistemin e vjetër elektoral të vitit 2008 me lista të mbyllura sherben mbajtjen në këmbë të kastës plurale solidare Berisha-Rama, por është në dëm të demokracisë dhe sidomos opozitës. Nëqoftese nuk do të ketë veprime të vendosura nga gjithë partitë e harkut opozitar për lista të hapura, votë të barabartë dhe votim e numërim elektronik, do të shohim garën e servilizmit ndaj padronëve të listave të mbyllura, por shanset për të mundur qeverinë do të jenë zero.

Një opozitë që ekziston për të mos ardhur në pushtet është një denatyrim.

Mendoj se PD-së që ka thirrur këtë tryezë i takon të lançojë projektin për rrotacion të pushtetit duke ftuar ti bashkohen gjithë partitë e harkut opozitar. Formula më e mirë sipas meje është ajo e institucionalizmit të opozitës plurale, që reflekton gjithë identietet dhe sensibilitetet e së djathtës dhe shoqërisë.

Me institucionalizim të opozitës plurale unë kuptoj, së pari, pushimin e luftës brenda llojit siç është bërë deri tani, kalimi nga gjendja e konfliktit tek konkurenca, me qëllim që çdo subjekt të mund të rritet në vetvete.

Së dyti, daljen me një paketë unike propozimesh për reformën zgjedhore, duke u fokusuar të hapja e listave dhe një sistem zgjedhor që garanton valorizimin e çdo vote. Sot numërohen me gishtat e dorës deputetët që janë votuar nominalisht. Prej pesëmbëdhjetë vjetësh shqiptarët votojnë sigla dhe nuk njihen te deputetët e tyre. Me këtë rast do tu kërkoja deputetëve te Rithemelimit që janë në bisedime me PS të kërkojnë zgjatjen e afatit për reformën zgjedhore.

Së treti, dakordësimin për mënyrën e daljes në zgjedhje sikurse për identitikin dhe emrin e një kryeministri të gjithëpranuar.

PD duhet t’i prijë kësaj përpjekjeje.


AlbaniaWeb.net