Kosovë, mbyllen 387 biznese! Arsyet janë rënia e fuqisë blerëse dhe konkurrenca e pabarabartë
Për tre muajt e parë të vitit në Kosovë janë 387 biznese që zyrtarisht i kanë dhënë fund veprimtarisë së tyre.
Megjithatë, sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve kjo shifër e dhënë nga institucionet e Kosovës është e ulët krahasuar me shifrën që kjo aleancë ka.
“Institucionet e shtetit publikojnë vetëm bizneset që janë c ‘regjistruar në formë ligjore, kurse ne i matim edhe bizneset që janë mbyllë, kanë falimentuar ose janë shuar e kanë pushuar aktivitetin e vet më shumë se gjashtë muaj. Në këtë vit mesatarisht sipas shifrave të qeverisë janë mbyllur diku rreth 386 biznese, por sipas shënimeve tona shkon mbi 600“-shprehet Agim Shahini, kryetar i Aleanca Kosovare e Bizneseve.
Arsyet që kanë çuar deri te pushimi i veprimtarisë së këtyre bizneseve sipas AKB-së kanë të bëjnë me humbjen e fuqisë blerëse, fuqisë punëtore, mungesa e mbështetjet financiare, normat tatimore, konkurrenca e ashpër dhe e pabarabartë, për çka Shahini propozon amnisti fiskale.
“Ne si Aleancë e Biznesit kemi kërkuar institucioneve që të bëjnë një amnisti fiskale për një periudhë të caktuar në mënyrë që t’i pastrojë databazën e vet por edhe bizneset të operojnë lirshëm.”
Sektorët më të prekur dhe të prira për të shuar veprimtarinë e tyre është ai i gastronomisë, shërbimet e taksive, sallonet e floktarisë dhe të tjera. Në tre mujorin e vitit 2024 janë regjistruar 2,782 biznese të reja.
AlbaniaWeb.net