Lëvizte i armatosur me pistoletë me fishekët gati për qitje, forcat “Shqiponja” arrestojnë 36 vjeçarin në Lezhë (EMRI)
Një 36 vjeçar është arrestuar nga forcat “Shqiponja” në Lezhë pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin e tij tip “BMW” iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Në pranga ka rënë Xhon Sari i cili në pistoletën që kishte me vete, i mbante fishekët në fole gati për qitje. Gjatë kontrolleve të bëra në automjetin tjetër tip “Golf” po ashtu në pronësi të tij, u gjetën edhe 18 fishekë.
Policia sekuestroi armën dhe fishekët në cilësinë e provës materiale ndërsa ndaj 36 vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
AlbaniaWeb.net