Sat, Nov 23, 2024

Procesi i votimit nis me telashe në identifikimin elektronik dhe probleme të tjera

  • PublishedMay 14, 2023

Në disa qendra votimi në të gjithë vendin procesi nuk ka nisur ende deri në orën 9.21, ndërsa incidente të ndryshme janë raportuar në bashki të ndryshme. Në orët e vona të natës të së shtunës, disa qytetarë sulmuan fizikisht kandidatin e PS-së për Bashkinë Kolonjë Erjon Isai, pasi e akuzuan se ishte duke blerë vota në fshatin Qinam. Agresorët u ndaluan nga policia.

Në Bashkinë Kuçovë, kandidati i opozitës Lefter Maliqi akuzoi disa punëtorë të një kompanie ndërtimi se po blinin vota. Këta të fundit e denoncuan për shpifje dhe fyerje.

Gazetari i BIRN vërejti në zonën problematike të Spitallës në Durrës prani të grupeve të ndryshme të njerëzve që mbikëqyrnin procesin në mënyrë kërcënuese.

Rreth 3.65 milionë qytetarë kanë të drejtën e votës në Shqipëri, por një pjesë e konsiderueshme e votuesve besohet se janë në emigrim dhe në pamundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Pjesëmarrja në zgjedhjet e shkuara ka qenë më pak se 50%.

Në një qendër votimi në Elbasan KQZ urdhëroi nisjen e procesit të identifikimit manual të votimit pas dështimit të identifikimit elektronik.

Gara aktuale vë kryesisht përballë njëri-tjetrit kandidatët e Partisë Socialiste me kandidatët e koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë.

 

Deklarata:

“…këto votime nuk janë të partive, janë të qytetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve.” Bajram Begaj, President i Republikës.

“Votova për ju, për demokracinë.” Ermal Dredha, kandidat i Partisë Socialiste, Vlorë.

“Sot është dita e madhe, sot është 14 maji që kemi pritur aq shumë që të gjithë”. Belind Këlliçi, kandidat i opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Qendër votimi në shkollën Bashkim Fino në Tiranë. Foto: Vladimir Karaj
Kandidati i opozitës Belind Këlliçi duke votuar në Tiranë. Foto: LSA

 

Për më shumë, vizitoni blogun e BIRN për zgjedhjet me informacione minutë pas minute: