Gjykata e Posaçme urdhëron dërgimin e dosjes së Elvis Rroshit në SPAK
Kërkesa e Prokurorisë së Durrësit për pushimin e një procedimi të regjistruar bazuar në një kallëzim penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2015 kundër ish-kryetarit socialist të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi dhe zyrtarëve të tjerë të atij institucioni, u cilësua absolutisht e pavlefshme nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, që e kaloi çështjen për vijimin e hetimeve në SPAK.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi një kërkesë të Prokurorisë së Durrësit për pushimin e procedimit penal të regjistruar në vitin 2017 ndaj ish-kryebashkiakut socialist të Kavajës, Elvis Rroshi dhe e urdhëroi atë që t’ia kalonte aktet për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Rroshi u kallëzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje ligjore me tenderat publikë.
Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtarja Rudina Palloj e cila konstatoi pavlefshmërinë absolute të kërkesës së Prokurorisë së Durrësit për pushimin e akuzës së “shpërdorimit të detyrës” në këtë çështje.
Ish-kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u kallëzua në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku sipas dy kallëzimeve të ndara Rroshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Në një njoftim zyrtar të atëhershëm të KLSH-së thuhej se shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014, kohë për të cilën Rroshi dhe vartësit e tij akuzohen se kanë kryer veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesmarrjes në tendera apo ankande publike”.
Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme, në vitin 2017 është regjistruar procedim penal për këtë kallëzim për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, por pa autor. Tentativa për pushimin e kësaj çështje ndaj Rroshit është ndalur nga Gjykata e Posaçme, e cila ia kaloi çështjen për hetime të mëtejshme SPAK-ut.