Në një grup me Shqipërinë, Buffon del garant: Nuk bëjmë figurë të shëmtuar
Në Itali, tifozët dhe ambienti, janë jo pak në ankth për paraqitjen e “azzurëve” në “Euro2024”, në një kohë kur ekipi i Spallettit nuk ka qenë kurrë brilant këtë periudhë. As fati nuk ishte me ta, teksa goglat i vendosën në grupin e “ferrit” së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Shqipërinë. Pavarësisht këtyre detajeve, Gianluigi Buffon, shefi i delegacionit të përfaqësueses italiane, shprehet i bindur se Italia nuk do të zhgënjejë në Evropian:
“Jemi një kombëtare me shumë djem serioz, të përulur dhe të lumtur që do të luajnë në Europian. Është një grup i fortë ai që kemi, por jam i sigurt se si do të shkojnë gjërat, figurë të shëmtuar nuk do të bëjmë”, u shpreh Buffon, duke bërë më pas edhe një koment rreth rolit të tij në përfaqësuese:
“Roli im në kombëtare është shef i delegacionit, por unë në fakt nuk komandoj askënd. Unë nuk komandoj as në shtëpinë time, imagjinoni në kombëtare. Ajo që bëj më shumë është ndërmjetësuesi mes trajnerit dhe lojtarëve. Për mua është kënaqësi pasi ky post mbahej nga një legjendë si Vialli”, theksoi Buffon.
()