Wed, Nov 27, 2024

Grupi i Ziadin Selës i bashkohet BDI-së, Ali Ahmeti: Do bëjmë histori

  • PublishedMarch 29, 2024

Krahu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka vendosur t’i bashkohet koalicionit zgjedhor të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut.

Delegatët e Kuvendit Qendror të këtij krahu të ASH-së vendosën ta pranojnë ofertën e Ali Ahmeti për të dalë bashkë në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe ato parlamentare të 8 majit. Sela pohoi vetë përpara gazetarëve se “Kuvendi Qendror i tha po ofertës për t’u bërë pjesë e ‘Frontit Europian’, në mënyrë që sa më shpejtë dhe të sigurt, Maqedoninë ta bëjë pjesë të BE-së”.

Asnjëra nga palët nuk dha detaje të marrëveshjes, por Sela la të kuptohet se do të ketë pesë kandidatë nga partia e tij në listat e përbashkëta me gjasa të mëdha për të fituar postet e ligjvënësve. “pas zgjedhjeve, presim të krijojmë grupin tonë parlamentar”, u shpreh ai. Vetëm një votë kishte qenë kundër propozimit për koalicionin dhe katër delegatë abstenuan.

Krahu i Selës në Aleancën për Shqiptarët ka gjashtë deputetë në parlament, ndërsa dy ligjvënës të partisë janë me Arben Taravarin. ASH-ja pritej të dilte e vetme në zgjedhje me grupimin pro Selës, por fakti që vulën e partisë e mban krahu i Taravarit, e ka shtyrë të bashkojë forcat me BDI-në, ndaj të cilës si për ironi, Sela përgjatë gjithë karrieres së tij politike, ka qenë opozitar.

Analistët megjithatë nuk e shohin këtë bashkim si një zhvillim negative përkundrazi, ata vlerësojnë se ndarja në dy blloqe e partive shqiptare përveç që është demokratike, nga ana tjetër “nuk do ta çojë dëm” edhe votën shqiptare. Vetë Ahmeti thotë se ky koalicion “do të bëjë histori dhe do të fitojë numrin më të madh të deputetëve që nga pavarësia e vendit”.


AlbaniaWeb.net