Tue, Nov 26, 2024

Emrat/ Këshilltarët e Berishës, Bashës dhe Metës bashkojnë votat me PS kundër Belerit në Këshillin Bashkiak të Himarës

  • PublishedMarch 29, 2024

Këshilltarët e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës kanë bashkuar votat me Partinë Socialiste kundër Fredi Belerit në Këshillin Bashkiak të Himarës.

Gjashtë anëtarë të partive opozitare në Këshillin Bashkiak të Himarës votuan pro komandimit të Blerina Balës në krye të bashkisë Himarë.

Sipas korrespodentit të AlbaniaWeb.net, Mikel Marsi, ata janë Qirjako Mërkuri nga LZHK, Maks Vlashi nga Mega, Fuat Mati nga Rithemelimi dhe Aleks Llazari nga PD, Timoleo Gërdhuqi nga PL dhe Milto Nika nga PSD.

Këshilli bashkiak i Himarës vendosi me 15 vota pro dhe 4 kundër që bashkia të drejtohet nga Blerina Bala, njëra prej nënkryetarëve.

Mbledhja e planifikuar e Këshillit Bashkiak të Himarës nisi me përplasje mes forcave të policisë dhe simpatizantëve të Fredi Belerit.

Qytetarët i kërkuan drejtuesit politik të PS-së në qarkun e Vlorës, Blendi Klosi dhe prefektit të qarkut Vangjel Tavo të mos ishin të pranishëm gjatë mbledhjes.

Kryetari i përkohshëm pritet të qëndrojë në post deri në zgjedhjet e reja vendore në bashkinë e Himarës pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro, i cili akuzohet për tjetërsim pronash.


AlbaniaWeb.net