Mon, Nov 25, 2024

“Fol me Anila Hoxhën”/ Ndërroi jetë pa marrë të drejtën e pensionit, gjyqtari Dvorani tregon rastin e të moshuarit: Është prekëse

  • PublishedMarch 30, 2024

Në kërkim të dëshmitarëve dhe të çdo prove që vërteton vitet e punës, të moshuarit pa pension po përballen po ashtu edhe me stokun e dosjeve. Shumë prej tyre depozitojnë raportet mjekësore duke kërkuar përshpejtim. Dhe disa ndërrojnë jetë pa marrë drejtësi. Kujtim Brahi është i moshuari që ndërroi jetë së fundi, pa e marrë të drejtën e pensionit, teksa kishte dorëzuar librezat e punës si një ish-punonjës i qymyrgurit Krrabë dhe priste të vërtetohej nga arkivat listë pagesa, borderoja dhe data e largimit nga puna.

Këtë rast e tregoi vetën Gjyqtari Ardian Dvorani gjatë intervistës  me Anila Hoxhën ku u shpreh:

“Ka shumë të tilla. Fatkeqësisht në këto 4 vjet më ka ndodhur më shumë se një herë. Duhet të them një gjë në parantezë të paktën deri në gjashtë muaj, çdo gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit kishte në ngarkim 3400 dosje secili. Pra, ne nuk mund të dimë sesa çështje kemi. Tani ne duhet të respektojmë ligjin dhe të ndjekim radhën. Por më ka ndodhur në këto katër vjet që të marr kërkesa për përshpejtim nga pensionistë në moshë me probleme të veçanta shëndetësore ku e ka miratuar kërkesën për përshpejtim menjëherë dhe ku kemi caktuar datën e seancës kam mësuar se ka ndërruar jetë. Është shumë prekëse, kjo gjë. Por, po ndodh disa herë dhe prandaj ne përpiqemi që përtej detyrimit tonë ligjor të respektojmë radhën kronologjike, të gjejmë sa hapësira të jetë e mundur për të trajtuar çështjet e tyre.”

Po si mund të zgjidhet ‘backlog’-u në gjykatë? Si mund të reduktohet e gjithë kjo masë e madhe çështjesh e cila prek drejtëpërdrejtë qytetarët shqiptarë?

“Nuk janë vetëm çështjet e pensionit të prapambetura. Duhet të kuptohemi janë të gjitha llojet e çështjeve, edhe administrative por edhe çështjet civile, çështjet penale disi më pak. Kështu që kur flasim se si do ta zgjidhim këtë problematikë sot, nuk do të mendojmë thjesht për të zgjidhur efektet që erdhën nga efektet e vetingut. Nuk mund të vihet në dyshim dobia e procesit të rivlerësimit kalimtar të vetingut. Prandaj edhe masa që duhet të merret që janë propozuar një pjesë e tyre janë në parlament janë të tilla që nuk synojnë thjesht të riparohet me urgjencë sepse ka ndodhur diçka në mënyrë të menjëhershme, por për të riparuar fenomenin e ‘baclog’-ut në terma afatgjatë por edhe me disa masa që duhet të kenë edhe impakt të menjëhershëm sot. Dhe po propozohen përveçnevojës që të kemi më shumë burime njerëzore, pra më shumë ndihmësa ligjore, të kemi më shumë gjyqtarë. Do pak kohë të arrihet numri i gjyqtarëve.”