Sun, Nov 24, 2024

Dy orë nga mbyllja e qendrave të votimit, Belind Këlliçi thirrje qytetarëve: Ndryshimi është në duart tuaja, dilni dhe votoni

  • PublishedMay 14, 2023

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka bërë thirrje që qytetarët të dalin dhe të votojnë në këto dy ore të mbetura nga mbyllja e qendrave të votimit.

Ai tha se ndryshimi është në duart e qytetarëve dhe se do duhet të dalin të votojnë për të sjellë rrotacionin.

“Në finale e kësaj gare të jashtëzakonshme që me zor e kemi pritur 14 Majin, janë 90 minuta që në fakt kërkojnë impenjimin tuaj për të dalë, për të votuar e për të ndërruar 4 vitet e ardhshme.

Establishment dhe të korruptuarit nuk duan që ju të merrni pjesë në votim ndaj i drejtoj një thirrje nga zemra të gjithë qytetarëve në qytet, në fshat, të rinjve e të rejave. Dilni, merrni pjesë masivisht në votim deri në orën 19:00!

Është një shans që nuk do të na vijë më për 4 vitet e ardhshme për të ndryshuar fatet e kryeqytetit tonë. Është një shans i artë, një mundësi e veçantë që duhet ta kapi çdo i ri dhe e re në qytet. Është një shans për të gjithë të moshuarit, për pensionistët, për qytetarët sidomos për ata që janë në zonat rurale që janë lënë të harruar prej vitesh e vitesh me radhë.

Dilni e merrni pjesë në këtë proces votimi sepse është i një rëndësie jetike për kryeqytetin!
Shifrat tregojnë që jemi në kufijtë e 40%-shit të pjesëmarrjes, do të duhet që të kalojmë këtë shifër duke e rritur pjesëmarrjen. I bëj thirrje të gjithë naçuve edhe një herë edhe cagove të Tiranës edhe të gjithë atyre që ne jemi takuar, jemi parë në sy, kemi folur me njëri-tjetrin dhe kemi thënë se kur do të afrojë 14 Maji?

Epo 14 Maji është sot! Kemi hyrë në finale! Finalja po luhet, tashmë mbetet vetëm për të fituar! Dilni, merrni pjesë në votime dhe ta shndërrojmë këtë ditë në një ditë feste të jashtëzakonshme për Tiranën, për kryeqytetin tonë dhe për të ardhmen e të gjithë të rinjve në Tiranë. Dilni votoni, ndryshimi është në duart tuaja! Votoni!”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.