Gazment Bardhi e akuzoi si të përfshirë në organizatën kriminale të Xibrakës, Olsi Rama e padit në SPAK
Pak ditë pasi Gazment Bardhi bëri një denoncim publik ku pretendonte se Olsi Rama ishte i përfshirë në organizatën kriminale të Xibrakës, duke i dërguar një letër më pas kreut të SPAK, Altin Dumanit, për të nisur hetime për këtë çështje.
“Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton gjithashtu se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM.
Gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, kur u planifikua dhe u zbatua plani për ngritjen e laboratorit të kokainës, automjeti me targa AA653DM është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal). E ndërsa tre të tjerët janë identifikuar nga Policia, duke përshkruar edhe automjetet me të cilët kanë lëvizur gjatë takimit me grupin kriminal në bazën e tyre në Tiranë, 45 vjecari, përdorues i automjetit me targa AA653DM nuk është identifikuar me emër.
Pra, policia dhe prokuroria, i vendosin në dosje moshën fikse të personit, por jo emrin! “Pak kohë më parë, bëra të njohur faktin se disponoj prova që e lidhin Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit të Shqipërisë, me organizatën kriminale të trafikimit të drogës në Xibrakë, organizatë kjo e zbuluar 10 vite më parë nga organet ligjzbatuese gjermane.
Këto prova faktojnë se Shqipëria nuk udhëhiqet nga një qeveri demokratike, por sundohet nga një kryeministër i marrë peng nga organizatat kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Ky është cilësimi më i butë që munda të bëja për Edi Ramën. Sepse faktet që do të prezatoj sot mund ta bëjnë bashkëpunëtor apo në aleancë me këto organizata të krimit të organizuar. Çështja “Xibraka” është modeli i rënies së shtetit dhe i ngritjes së krimit. Ishte laboratori i parë i kokainës që zbulohej në Shqipëri vetëm 1 vit pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës”, deklaronte publikisht Bardhi.
Ndërkohë ditën e sotme, Olsi Rama e ka paditur në SPAK Bardhin për shpifje.
Në padi, vëllai i kryeministrit deklaron:
Sot kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës.
Fakti që zotëria aspak i nderuar, ka marrë përsipër të më akuzojë si trafikant droge, thjesht dhe vetëm sepse unë jam vëllai i një kundërshtari politik, të cilin prej vitesh tanimë janë cfilitur më kot ta mundin, duke mos lënë asnjë anëtar të familjes sonë pa sulmuar me gjuhën e pistë të shpifjeve, kërkon përgjigje! Jo thjesht nga unë, po nga drejtësia!
Unë nuk jam politikan dhe s’kam asnjë lidhje tjetër me politikën, përveçse si votues i tim vëllai ashtu si qindramijëra të tjerë dhe arsyeja kryesore e neverisë time të hershme me politikën është pikërisht kthimi i shpifjeve në një normalitet të jetës publike. Uroj shumë që SPAKU, tek i cili bashkë me plot të tjerë kam edhe unë besim, si diçka ndryshe në zullumin kaq vjeçar të drejtësisë, të mos e çojë kallzimin tim në koshin e madh të këtij normaliteti absurd, që po shkatërron fare bazën elementare të besimit tek fjala dhe të vërtetat e këtij vendi. Pra po shkatërron vetë shoqërinë dhe po hedh në erë në mënyrë të pariparueshme themelet e edukatës për rininë.
Jam i gjithi në dispozicion të hetimit të atyre që deputeti i pacipë i quan prova mbi përkatësinë time në një grup kriminal trafikantësh droge, ndërsa unë nuk mund t’i quaj ndryshe përveçse si shpifje për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike.
Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi. Solidariteti i këtyre të fundit gjatë këtyre ditëve më lumturon, po nuk më mjafton. Shoqëria duhet të dijë të vërtetën dhe duhet ta mësojë nga drejtësia. Shqipëria s’mund të ketë një kryeministër që e ka vëllain një trafikant droge që lëviz i lirë nëpër Tiranë. Sikur edhe vetëm një shqiptar i ndershëm të gënjehet nga kjo maskaradë dhe ta besojë këtë çmenduri, të cilën as vetë sharlatani që e ka hedhur në pazarin e llafeve nuk e beson, kjo mjafton që drejtësia të mos heshtë duke e nënvleftësuar peshën e kësaj poshtërsie si as e para dhe as e fundit.
Dikush, dikur, diçka, duhet të bëhet sebep që ky turp kombëtar i pashoq me asnjë vend në Europë – ku njerëz me mandate nga populli, me një mikrofon në ekran apo me një portal në internet gënjejnë e sajojnë po aq shumë sa marrin frymë – të goditet nga e vërteta e drejtësisë së re.
Nëse është vërtetë e re natyrisht!
Me shpresë, Olsi Rama
AlbaniaWeb.net