“Ekipi aktual, më cilësor sesa vjet”, Hysen Memolla: Egnatia shkon në finale
Egnatia ka përpara një nga finalet e këtij sezo ni, pasi pret Vllazninë në shtëpi në gjysmëfinalen e parë të Kupës. Rrogozhinasit do të tentojnë të hedhin një hap drejt finales, ndonëse përballë do të kenë një ekip të konsoliduar.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Hysen Memolla, i cili u huazua në merkaton e janarit nga Egnatia tek ekipi i Çindia Targoviste në futbollin rumun, shprehet se rrogozhinasit do të arrijnë të eliminojnë Vllazninë në gjysmëfinale të Kupës. Memolla theksoi se Egnatia është ekipi më i kompletuar në Superiore dhe ka të gjitha shanset të fitojë të dy trofetë.
Memolla, si ju është dukur performanca e Egnatias në 2024-ën?
Në përgjithësi ekipi ka performuar mirë, pasi ia ka dalë të ruajë vendin e parë. Si çdo ekip, ka pasur edhe oshilacione në rezultate, pasi nuk është e lehtë të ndryshosh disa futbollistë në merkaton e janarit dhe të vijosh të ruash të njëjtat ritme. Ajo që ka rëndësi, është fakti që skuadra e Egnatias ka vijuar të prodhojë futboll bindës, përtej rezultateve të fundit. Kur kanë mbetur edhe pak ndeshje për tu luajtur në Superiore nuk kam parë asnjë ekip që të tregohet superior ndaj Egnatias. Fitorja me Kukësin besoj ka sjellë qetësinë.
Luajnë me Vllazninë në gjysmëfinale të Kupës. Cili ekip shkon në finale?
Do të jetë një përballje e fortë, pasi në gjykimin tim luajnë dy ekipet më solide të këtij sezoni. Favorite është Egnatia, pasi është ekip më i kompletuar dhe ka diçka më shumë sa i takon kualitetit. Megjithatë, duhet përqendrim maksimal, pasi shkodranët janë një ekip pragmatist, ku reparti i sulmit arrin të bëjë keq në çdo moment. Nëse Egnatia do luajë si ekip, ashtu siç ka bërë deri në këto momente ka më shumë gjasa të shkojë për të dytin vit radhazi në finale të Kupës.
Sa shanse ka ekipi i Tetovës të triumfojë sërish në këtë kompeticion?
Në këndvështrimin tim, është ekipi më favorit për të shkuar te trofeu. Jo pse është fitues në fuqi, por sepse ka skuadrën më të fortë të futbollit shqiptar. Egnatia e di si fitohet Kupa dhe në krahasim me vitin e shkuar, ky grup lojtarësh është më i fortë se një sezon më parë.
Vllaznia ka sulm mjaft efikas, mendoni se Egnatia mund ta përballojë?
Është një përballje, ku do të luftohet dhëmb për dhëmb në çdo centimetër të fushës. Si Vllaznia, ashtu edhe Egnatia luajnë hapur, ndaj do të duhet punë ekipore për të arritur te rezultati pozitiv. Është e vërtetë që reparti i sulmit te shkodranët është cilësor, por ata kanë performuar mirë edhe në prapavijë. Në krahun tjetër rrogozhinasit kanë gjithashtu mbrojtjen më të mirë. Duhet pasur kujdes maksimal nga çdo futbollist në fushën e lojës.
A do ta ruajë Egantia vendin e parë në Superiore?
Momenti negativ për ekipin kaloi dhe është koha për të hipotekuar rezultate pozitive. Mendoj që me distancën prej 4 pikësh i ka të gjitha mundësitë për ta ruajtur vendin e parë. Me Partizanin, Vllazninë dhe Tiranën, ekipi i Egnatias do të luajë në shtëpi dhe besoj do të shfrytëzojë faktorin “fushë” për të mos e lëshuar kreun. Vendi i parë nuk garanton titullin, ama në aspektin moral u jep besim dhe forcë lojtarëve sa i takon ndeshjeve të “Final 4”. Rëndësi ka që në fund ekipi të jetë në formë të mirë fizike pa pezullime dhe dëmtime.
I ka kualitetet ekipi i Tetovës për t’u shpallur kampion këtë sezon?
Mendoj që ky është viti i duhur për të tentuar titullin. Për mua Egnatia është ekipi më i fortë i këtij kampionati. Blerjet e merkatos së dimrit po arrijnë të ambientohen me pjesën tjetër të skuadrës. Më ka befasuar Ibrahimoglu, një lojtar me karakteristika të kënaqshme që do ta ndihmojnë ekipin në takimet e mbetura të këtij sezoni. Mendoj se Egnatia është në rrugën e duhur për të sjellë për të parën herë trofeun në qytetin e Rrogozhinës. Unë do të jem aty për të festuar.
Si ka shkuar aventura e huazimit te Çindia në futbollin rumun?
Edhe pse u bashkova me skuadrën e Çindias në merkaton e janarit, u mundova të përshtatem shpejt. Më ka ndihmuar fakti që kam një marrëdhënie të mirë me trajnerin Diego Longo dhe të gjithë njerëzit këtu më pritën shumë mirë. Gëzoj një formë të mirë sportive dhe falë Zotit kam luajtur rregullisht. Jemi brenda objektivave dhe do të mundohemi ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.