Wed, Nov 27, 2024

Për të disatën herë kërkoi ndryshimin e masës ‘arrest me burg’, GJKKO ‘rrëzon’ Ramazan Rrajën

  • PublishedApril 5, 2024

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Ramazan Rrajës për ndryshimin e masës ‘arrest me Burg’ dhe dhënien e një mase më të butë.

Kjo nuk është hera e parë që Ramazan Rraja, i arrestuar në prill 2023 si pjesëmarrës në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, kërkon zbutje të masës së sigurimit.

Ai ka kërkuar edhe 2 herë të tjera, ku sërish GJKKO e ka rrëzuar. Kujtojmë se SPAK e akuzon Ramazan Rrajën dhe kushëririn e  tij Redjan Rraja se kanë bashkëpunuar në atentatin 1 nëntorit 2019 në zonën e Sukthit, në të cilin mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën Aleksandër Lah  dhe prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 05.04.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 68 akti, datë 27.03.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues R.Rr., ndaj vendimit nr. 57, datë 07.02.2024 të gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: “Revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar ndaj personit nën hetim Ramazan Rraja me vendimin nr. 308 akti, datë 21.07.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ose në alternativë zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ose “Arrestit në shtëpi”, dhe vendosi:

Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari R.Rr. nëpërmjet mbrojtësit të tij av. Elton Hyseni, ndaj disponimit nr. 57 akti, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.


AlbaniaWeb.net