Ndarja nga jeta e futbollistit 21-vjeçar, Duka mesazh ngushëllimi: Ditë e zezë për futbollin
Lajmi i së enjtes mbi ndarjen e parakohshme nga jeta të futbollistit të Shënkollit, Klajvert Çuni, në moshën 21-vjeçare, tronditi komunitetin e futbollit dhe jo vetëm.
Prej 12 ditësh në koma, pasi ishte rrëzuar nga çatia e banesës së një të afërmi të tij, Çuni nuk mundi ta fitonte “ndeshjen” më të rëndësishme, atë për jetën e tij.
Për këtë ngjarje tragjike ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili shkruan se këto janë ditë të zeza për futbollin.
Mesazhi ngushëllues i Dukës
“Lajmi për humbjen e jetës së Klajvert Çunit, të riut të rritur në akademinë e Shënkollit, më ka pikëlluar mua dhe çdo anëtar tjetër të komunitetit të futbollit. Ditë të tilla janë të zeza për këdo, jo vetëm për komunitetin tonë të futbollit.
Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjarët, të afërmit dhe miqtë e Klajvertit! U prehtë në paqe!”
Pavarësisht gjithë përpjekjeve maksimale të mjekëve, Çuni ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë duke mos i mbijetuar plagëve të marra në pjesën e kokës.