Angazhimi i qeverisë për integrimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian mbetet në letër
Në kuadër të javës Rome, paraditen e së premtes u zhvillua pranë “Europe House” një takim mbi ecurinë e “Deklaratës së Poznanit” në Shqipëri, lidhur me mundësitë dhe përfshirjen e anëtarëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian në sektorin publik, si edhe të drejtat e tjera sociale dhe ekonomike që parashikon kjo deklaratë.
Sipas kwsaj deklarate, vendet nwshkruese zotohen për rritjen e shkallës së punësimit të romëve në sektorin publik me të paktën me 25%.
Deklarata e Poznanit u nënshkrua në vitin 2019 nga qeveria shqiptare si edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ky dokument parashikon përpjekjet e vendeve nënshkruese për barazi dhe integrim të minoritetit Rom dhe Egjiptian në shoqëri, nëpërmjet rritjes së punësimit, legalizimit të vendbanimeve, mosdiskriminim dhe edukimin cilësor të tyre.
Pesë vite pas nënshkrimit të këtij dokumenti, anëtarët e komunitetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri shprehen se zotimet e deklaratës kanë mbetur në letër.
“Të paktën 10 prej aplikantëve që ne njohim që kanë aplikuar në DAP nuk janë pranuar apo kualifikuar për më tej”, tha Romina Sefa, drejtuese e Qëndrës për Advokim Social.
Keida Meta, nga Drejtoria e Administratës Publike u justifikua se ky institucion nuk mund të ketë statistika të sakta për punësimin e këtij komuniteti, për aq kohë sa vetëdeklarimi i përkatësisë etnike nuk është i detyrueshëm gjatë procesit të rekrutimit.
Aktivistë të shoqërisë civile të pranishëm në takim cilësuan si një hap të rëndësishëm diskriminimin pozitiv në ndihmë të këtij komuniteti drejt punësimit.
“Duhet të ketë diskriminim pozitiv në procesin e rekrutimit të këtyre individëve, pasi vetë ata ndodhen në kushte jo të njëjta socialo-ekonomike me të tjerët”, theksoi Vasilika Laçi nga Ambasada Britanike në Shqipëri.
Komisioneri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, Robert Gajda shtoi se diferencimi ndaj anëtarëve të këtij komuniteti është i dukshëm, edhe pse nuk pranohet nga institucionet.
“Edhe pse organet publike thonë se nuk kanë të dhëna lidhur me përkatësinë etnike të aplikantëve, ata sërish përdorin diferencimin, për shkak të njohjeve informale që kanë”, u shpreh Gajda.
“Sipas nesh ndjekja juridike e këtyre rasteve të diskriminimit ka rezultuar e sukessheme, pasi i vë institucionet përballë zbatimit të ligjit ose përndryshe pagimit të dëmshpërblimit me vendim gjykate, në rast diskriminimi”, shtoi ai mbi mjetet juridike të nevojshme që ndikojnë në ndërgjegjësim të institucioneve publike ndaj këtij fenomeni.