Ekspertët: Qëndrimet e fundit të SHBA-së ndaj Izraelit, një pikë kthese
Uashingtoni sinjalizoi një ndryshim në qëndrimin ndaj Izraelit, pas sulmit vdekjeprurës ndaj punonjësve të ndihmave në Rripin e Gazës.
Izraeli reagoi me shpejtësi ndaj paralajmërimit të administratës së Presidentit Biden të enjten për humbje të mbështetjes së pakushtëzuar amerikane nëse nuk merr masa për mbrojtjen e civilëve palestinezë dhe punonjësit e ndihmave.
Vrasja nga sulmet ajrore izraelite e shtatë punonjësve të ndihmave nga organizata World Central Kitchen të hënën shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare.
Në përgjigje të incidentit, Presidenti Joe Biden zhvilloi një bisedë telefonike 30-minutëshe të enjten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke i kërkuar atij përgjegjësi për sulmet, rritjen e ndihmave humanitare dhe mbrojtjen e civilëve.
Disa orë më vonë, Izraeli njoftoi hapa për të lejuar më shumë ndihma në Rripin e Gazës, duke përfshirë kalimin e tyre përmes portit të izraelit të Ashdodit dhe rritjen e sasisë së ndihmave nga Jordania përmes një pikëkalimi tokësor.
Izraeli ka kërkuar falje për sulmet dhe ka shkarkuar dy oficerë, duke thënë se ata kishin shkelur procedurat standarde të ushtrisë.
Duke folur me gazetarët në Belgjikë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken komentoi përgjigjen e Izraelit.
“Është shumë e rëndësishme që Izraeli të marrë përgjegjësinë e plotë për këtë incident. Është gjithashtu e rëndësishme që Izraeli po ndërmerr hapa për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë përfshirë në këtë sulm. Është shumë më e rëndësishme që të ndërmerren hapa që një gjë e tillë të mos përsëritet”, tha Sekretari Blinken.
Rreth 200 punonjës të ndihmave janë vrarë në luftën në Rripin e Gazës deri më tani dhe disa analistë i thanë Zërit të Amerikës se goditja e makinave të organizatës World Central Kitchen ishte një ngjarje që mobilizoi komunitetin ndërkombëtar në reagimin kundër vrasjes së civilëve.
“Sulmi rriti përqendrimin në këtë shqetësim që ka ekzistuar për një kohë lidhur me mbrojtjen e civilëve, si dhe paralajmërimet për përballje me urinë të popullatës brenda Gazës. Kjo gjithashtu pason propozimet e Izraelit për një ofensivë ushtarake në Rafah, ku shumica e banorëve të Gazës janë zhvendosur tani”, thotë Brian Katulis nga Instituti i Lindjes së Mesme.
Ka patur një rritje të thirrjeve që administrata e Presidenti Biden të jetë më e ashpër ndaj Izraelit lidhur me numrin e madh të civilëve të vrarë në Rripin e Gazës.
“Mendoj se mesazhi më në fund është dërguar me qartësi, saktësi dhe urgjencë. Nëse janë marrë dhe çfarë masash do të ndërmarrë Netanyahu dhe qeveria izraelite mbetet për t’u parë, sepse këta hapa të parë janë thjesht reagime të menjëhershme, jo rishikim i plotë i politikave, procedurave dhe llogaridhënies që nevojitet”, thotë Linda Robinson nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Protestuesit ndërprenë punimet e parlamentit izraelit në fillim të kësaj jave. Protesta thekson trysninë në rritje ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për të siguruar lirimin e pengjeve. Më shumë se 100 izraelitë ende po mbahen nga militantët e Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi më 7 tetor, kur militantët e Hamasit hynë në jug të Izraelit dhe vrarë rreth 1200 njerëz. Izraeli është përgjigjur me një ofensivë gjashtëmujore, duke vrarë më shumë se 33,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, dhe duke shkaktuar kritika ndërkombëtare për veprimet e tij në këtë luftë./ VOA
AlbaniaWeb.net