Sun, Nov 24, 2024

Qeveria drejt fitores plebishitare në zgjedhjet vendore

  • PublishedMay 15, 2023

Bashkitë kryesore të vendit, përfshirë ish-bastionet e opozitës si Kamza, Shkodra, Dibra e Lezha janë duke anuar nga kandidatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e së dielës ndërsa numërimi vijoi gjatë orëve të natës. Shkodra, bashkia që pati refuzuar kryebashkiak socialist edhe në zgjedhjet pa garë të vitit 2019, kur fituesi i PS rezultoi i dënuar për drogë, kësaj here duket se po zgjedh me një ortek votash kandidatin Benet Beci përkundrejt kryebashkiakut aktual Bardh Spahia. Beci ka marrë mbi 60% të votave ndërsa janë numëruar 88 nga 247 kuti. Ndonëse kutitë e panumëruara përbëjnë ende dy të tretat, beteja duket e vështirë për opozitën.

Mes bashkive ku opozita ka avantazh janë Puka, Fushë-Arrëzi, Hasi e Mirdita, që të gjitha bashki mes më të voflave në vend. Në rezultate surprizë, bashkia e vogël e Memaliajt ka mbështetur kandidatin e Bashkë Fitojmë Albert Malaj. Ai ka marrë deri tani 52% të votave ndërsa janë numëruar 24 nga 27 qendra votimi.

Në Kuçovë, një zonë ku opozita nuk ka qeverisur kurrë më parë, kandidati i saj Lefter Maliqi gëzon një avantazh të lehtë kundrejt kryebashkiakut aktual Kreshnik Hajdari. Gara është ende e hapur për shkak se në këtë bashki janë numëruar vetëm 26 nga 65 qendra votimi.

Socialistët realizuan fitore me përqindje të stërmëdha në shumë bastione të tyre. Në Tepelenë, kryebashkiaku Tërmet Peçi, i cili disa vite më parë u bë meme për deklaratën se synonte të realizonte një “fitore publicitare”, duket se e realizoi një fitore me të vërtetë plebishitare. Rezultati final për këtë bashki i jep Peçit, i cili nis tani një mandat të katërt, 83% të votave të vlefshme.

Fitore të tilla PS realizoi edhe në Poliçan, ku Adriatik Zotkaj fitoi mandatin e gjashtë me 78% të votave.

Gëzim Topçiu mban rekord absolut për nga numri i mandateve po ashtu edhe nga rezultati. Ai ka filluar të qeverisë në vitin 2000 në qytezën e Maliqit dhe tani është rrugës drejt fitores së mandatit të shtatë. Në fund të këtij katërvjeçari, ai do të jetë 60 vjeç dhe do të ketë qeverisur njëzet e shtatë vjet.

Arif Tafani, i cili ka qeverisur Belshin me ndërprerje për pesë mandate, është duke luftuar votë për votë me Bedri Qypin, një ish-kryekomunar.