Wed, Nov 27, 2024

Milan dhe Roma fitojnë me polemika/ Çerek finalistët e Ligës së Europës, atmosferë elektrizuese para derbit italian

  • PublishedApril 7, 2024

Milani dhe Roma, dy çerekfinalistet e Ligës së Europës, e kanë mbyllur më së miri javën e 31 të Serisë A.

Kuqezinjtë mundën Leçen 3-0, teksa mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani dhe shokët e tij e patën të ndalnin kuqezinjtë që treguan se janë në formë të shkëlqyer. Pulisiç hapi serinë e golave “San Siro” që në minutën e 6-të, ndërsa më pas shënuan edhe Zhiru në minutën e 20 dhe Leao të 57-ën.

68 pikë në 31 javë skuadra e Piolit nuk i kishte grumbulluar kurrë, as në sezonin që fitoi titullin. Fitorja e milanezëve nuk kaloi pa polemika, sepse në minutën e 57-të, Leçe kishte një mundësi shënimi me Alkmvist që u rrëzua në zonë nga Teo, por arbitri lejoi lojën dhe aksioni përfundoi me gol nga krahu tjetër, pasi Leao shënoi edhe të tretin. Në këtë moment presidenti i Leçes, Stiki Damiano u ngrit duke duartrokitur në mënyrë ironike arbitrin Luka Masimi dhe braktisi tribunën.

Nga ana tjetër Roma fitoi 1-0 një derbi të ndezur me Lacion falë golit të Mancinit në minutën e 42. Ky i fundit u bë protagonist edhe i një episodi që hapi polemika në Itali, sepse pas fitores u pa të valviste një flamur me një mi, duke provokuar rëndë tifozerinë laciale, që u përlesh në rrugët e qytetit me rivalët e përjetshëm.

Roma renditet në vendin e pestë me 55 pikë, 2 më pak se Bolonja e vendit të katërt që është në zonën Champions. Juventusi luan sot në orën 20:45 kundër Fiorentinës, ndërsa Interi të hënën gjithashtu në mbrëmje. Milani dhe Roma do të ndeshen në “San Siro” ditën e enjte datë 11 prill për çerekfinalen e parë të Ligës së Europës. Të gjitha këto ndeshje do të keni mundësi t’i ndiqni në Digitalb.


AlbaniaWeb.net