Sulm me dronë në centralin e energjisë në Zaporizha, paralajmërimi i OKB: Rrit rrezikun e një aksidenti të madh bërthamor
Një sulm i ri me dronë në centralin e energjisë në Zaporizha të Ukrainës ka rritur rrezikun për “aksident të madh bërthamor”, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike.
Rusia ka thënë se Ukraina qëndron pas sulmit, në të cilin janë plagosur tre persona.
Ukraina, në anën tjetër, e ka mohuar përfshirjen, sipas BBC.
Ky central bërthamor, që kontrollohet prej Rusisë, dhe ka gjashtë reaktorë, është në vijën e frontit të konfliktit Rusi-Ukrainë.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka paralajmëruar disa herë kundër sulmeve të tilla.
Shefi i kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi, ka thënë se sulmi i së shtunës me dronë ka qenë “ i pamatur” dhe “përshkallëzim masiv i sigurisë bërthamore”.
Centrali në Zaporizhja, në jug të Ukrainës, është më i madhi në Evropë.
Forcat ruse e kanë marrë kontrollin e tij pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, e cila e ka një ekip ekspertësh në Zaporizhja, e ka konfirmuar “ndikimin fizik të sulmeve me dronë” në central, përfshirë në njërin prej reaktorëve.
Administrata e instaluar prej Rusisë brenda centralit ka thënë se nivelet e rrezatimit janë normale dhe se nuk është shkaktuar dëm serioz.
Mirëpo Grossi e ka përmendur që janë regjistruar të paktën “tri sulme direkte” në reaktorin kryesor.
“Kjo nuk mund të ndodhë”, ka thënë ai.
“Askush nuk mund të përfitojë diçka prej sulmeve në objekte bërthamore. Është një jo e madhe”.
AlbaniaWeb.net