Fri, Nov 29, 2024

Thirrjet për bojkot në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, SHBA-ja e zhgënjyer nga qëndrimet e Serbisë

  • PublishedApril 8, 2024

Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” me thirrjet publike që serbët e Kosovës të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha më 5 prill se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

“Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në regjistrimin e popullsisë. Një regjistrim i saktë mundëson shpërndarjen e drejtë të burimeve shtetërore për të gjithë qytetarët. Ne njohim përgjegjësinë dhe autoritetin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar procesin e regjistrimit të popullsisë”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.

Në reagimin e saj më 5 prill, Lista Serbe tha se pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës…”.

Ajo po i referohej një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarin për pagesa me para të gatshme, pasi e caktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Më 2011 ishte zhvilluar procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë. Ky proces, megjithatë, nuk ishte zhvilluar në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë./REL


AlbaniaWeb.net