Sat, Nov 30, 2024

Vidhet makina “Range Rover” e sapoblerë në Durrës, pronari ofron shpërblim kujtdo që ka informacion

  • PublishedApril 8, 2024

Një automjet tip fuoristradë “Range Rover” është vjedhur me thyerje në orët e para të mëngjesit të sotëm në Durrës.

Vjedhja ndodhi në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar, përballë një shkolle 9-vjeçare, ku pronari i automjetit parkonte zakonisht automjetin e blerë pak ditë më parë. Kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë kanë fiksuar dhe autorin e vjedhjes së automjetit që vjen në këmbë dhe largohet me automjetin e vjedhur.

“E mora vesh kur u çova në mëngjes për të shkuar në punë dhe pashë që nuk ishte makina. ishte thyer xhami i shoferit. Me anë të kamerave u pa se është marrë në orën 03:30 nga një person i veshur me xhaketë gri dhe kapele të zeza. Pas kësaj ore nuk di më asnjë informacion për makinën”, tha pronari i automjetit, Herald Dervishi.

Automjeti i vjedhur ka pasur sistem alarmi, por ai nuk është aktivizuar. Sipas Dervishit, kohët e fundit ky lloj mjeti ka rënë shpesh pre e hajdutëve, ndërsa apelon për ndihmë dhe kundrejt pagesës.

“Vetëm kësaj lloj makine po i bien. Është Range Rover Evoque i vitit 2012 me motor 2000 nafte. Shpresoj ta gjej dhe me mirëkuptim, ose dhe kundrejt një pagese, shpërblimi. Ta paguaj e të gjej makinën. Shpresoj te i madhi Zot, Policia para, ne prapa.”

Me të marrë denoncimin për vjedhjen e mjetit policia vendore ka bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë së biznesit të cilat po vlerësohen për identifikimin e autorit dhe kapjen e tij. Dyshimet janë që automjetet vidhen për tu shitur e përdorur më pas në ngjarje kriminale, por edhe për tu çmontuar për pjesë.


AlbaniaWeb.net