Votime familjare dhe persona të paautorizuar: Raporti i vëzhguesve vendorë për 14 majin
Problemet me identifikimin elektronik të zgjedhësve, së bashku me rastet e votimit familjar, praninë e personave të paautorizuar në qendrat e votimit si dhe tentativat për fotografimin e votës ishin problemet kryesore që u identifikuan nga vëzhguesit vendorë gjatë një konference për shtyp mesditën e së hënës.
Raporti paraprak i vëzhgimit të procesit të votimit më 14 maj u prezantua nga drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj dhe drejtuesi i organizatës “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari. Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëzhgoi 200 qendra votimi të dielën, ndërsa “Qëndresa Qytetare” 75 qendra të tjera.
Sipas Skëndajt, gjuha e ashpër e përdorur gjatë fushatës elektorale solli tensione mëngjesin e së dielës, por edhe vonesa në nisjen e procesit të votimit si pasojë e mosfunksionimit të pajisjeve PEI të identifikimit elektronik. Dy orë pas nisjes zyrtare të procesit të votimit, komisioneri Celibashi mori vendim për verifikimin manual të votuesve në 533 qendra votimi – një vendim i drejtë por i vonuar sipas Skëndajt.
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreson për marrjen e masave nga ana e KQZ-së për identifikimin e shkaqeve dhe vendosjen para përgjegjësisë të personave përgjegjës,” deklaroi Skëndaj lidhur me pajisjet e identifikimit elektronik.
Vëzhguesit e KSHH kanë evidentuar gjithashtu një sërë problemesh sistemike, të tilla si raste të votimit familjar, prezencën e personave të paautorizuar në qendrat e votimit, mosrespektimin e procedurave ligjore në rastet e personave me aftësi të veçanta si dhe mbajtjen antiligjore të telefonave celularë në qendrat e votimit.
Një tjetër problematikë e identifikuar ishte raportimi i numrave rendorë të votuesve nga komisionerët te vëzhguesit partiakë – praktikë e cila cenon sipas Skëndajt integritetin e procesit.
KSHH kishte njoftuar KQZ-në në kohë reale për disa nga parregullsitë, por KQZ kishte reaguar vetëm në një rast, duke bërë thirrje për largimin e personave të paautorizuar nga qendrat e votimit. Gjithsesi, vëzhguesit vendorë kanë vënë re se ky urdhër nuk ka ndryshuar gjë në terren dhe personat e paautorizuar janë rikthyer pranë qendrave edhe pasi ishin larguar që aty nga Policia.
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” evidentoi probleme të ngjashme në qendrat e vëzhguara nga organizata e tij.
“Pothuajse në të gjitha Qendrat e Votimit të monitoruara është vënë re prezenca e numrit të lartë të personave të paautorizuar në brendësi ose territorin e Qendrave të Votimit, të cilët kanë intimiduar, ushtruar presion dhe shoqëruar për në QV një numër të konsideruar votuesish,” tha Xhemollari.
“Nga evdentimet e vëzhguesve tanë, një pjesë e këtyre personave ishin përfaqësues dhe drejtues të administratës publike, të cilët përdorën postin për të ndikuar qytetarët,” shtoi ai, duke theksuar se ky problem ishte më i dukshëm në Elbasan, Tiranë, Kukës, Durrës dhe Shkodër.
Lidhur me votimin elektronik, vëzhguesit e “Qëndresa Qytetare” kanë vërejtur se në Kuqan dhe Shirgjan të Elbasanit, ekrani i pajisjes elektronike ishte i izoluar me ngjitës dhe nuk ishte transparent për votuesin, ndryshe nga qendrat e tjera.
Jo në të gjitha rastet, vëzhguesit vendorë e patën të mundur të bënin punën e tyre.
Një vëzhgues i Komitetit Shqiptar i Helsinkit u intimidua nga një vëzhgues i Partisë Socialiste në Lezhë, ndërsa në Yzberisht të Tiranës, vëzhguesi i “Qëndresa Qytetare” dhe përfaqësuesit e medias u penguan me justifikimin e hapësirave të ngushta.