Wed, Nov 27, 2024

Kontrolli i makinës në Kakavijë, sekuestrohen 15 lingota floriri dhe shuma të majme parash, policia jep detajet

  • PublishedApril 9, 2024

Në kuadër të rritjes së efektivitetit të punës së strukturave të kufirit e migracionit, për goditjen e krimeve ndërkufitare, është goditur 1 rast i mosdeklarimit të të hollave dhe sendeve me vlerë.

Sekuestrohen 8390 euro, 12 300 franga zviceriane, 85 000 fiorenta hungareze, 470 dinarë dhe 15 lingota floriri. Procedohet penalisht shtetasi gjerman 69-vjeçar që i posedonte.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavijë, si dhe i koordinimit të informacionit, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe me etikë, qytetatëve në hyrje/dalje, është goditur një rast i mosdeklarimit të të hollave dhe sendeve me vlerë.

Në bazë të analizës së riskut, në dalje të RSh-së, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti tip furgon me të cilin udhëtonte shtetasi A. F.

Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 8390 euro, 12 300 franga zvicer ane, 85 000 fiorinta hungareze, 470 dinarë dhe 15 lingota floriri, të cilat nuk i kishte deklaruar para autoriteteve doganore.

Furgoni dhe shumat e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u procedua në gjendje të lirë shtetasi gjerman A. F., 69 vjeç, banues në Greqi.

Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


AlbaniaWeb.net