“Ishte reklamë për futbollin”, Ancelotti beson te kualifikimi, Guardiola: Me tifozët i thyejmë mbretërit
Të pësosh 3 gola në “Bernabeu” nuk të lë një shije të mirë, por ekipi i Ancelottit tregoi edhe një herë se janë një ekip me shumë cilësi, mbi të gjitha me shumë karakter, nuk dorëzohen kurrë edhe pse e gjeten veten dy herë në dizavantazh. Sigurisht, tani i duhet një tjetër paraqitje e madhe, edhe me fortë, për të shpresuar kualifikimin për në fazën gjysmëfinale të Champions League:
“Kjo ishte një reklamë për futbollin, nuk mund të ishte ndryshe duke parë cilësinë e dy ekipeve. Ishte një ndeshje me një intensitet të lartë, për sa kohë mbajtëm ritmin kishim ndeshjen në kontroll. Mund ta dërgonim ndeshjen në 3-1 në dy raste, kjo është e vetmja gjë që më la një shije të hidhur, por luajtëm si të barabartë me City dhe kemi besim në ndeshjen e kthimit”, u shpreh Ancelotti duke bërë më pas një koment rreth gjyqtarit të takimit:
“Nuk ishte në nivelin e dy ekipeve, mbase nuk kishte eksperiencën e duhur”, theksoi ndër të tjera Ancelotti në konferencë për shtyp. Shijon këtë sfidë Pep Guardiola, por i vetëdijshëm se tashmë i duhet një sforco më e madhe për të kaluar Real Madrid:
“Ishte një ndeshje e bukur, por me tifozët tanë në krah duhet të tentojmë të fitojmë kundër mbretërve të këtij kompeticioni. Foden? Jo keq, kur sulmon në atë pozicion është i shkëlqyer, ka cilësi të jashtëzakonshme. Edhe Gvardiol realizoi një gol të shkëlqyer”, u shpreh ndër të tjera Pep Guardiola në konference për shtyp duke zbuluar në fund se Kevin De Byrune nuk ishte ndjerë mirë përpara këtij takimi, pavarësisht se ishte projektuar si titullar, nuk ishte në gjendje për të zbritur në fushë.
()