Prokurori Julian Zonja përballet me vetingun
Prokurori Julian Zonja i Prokurorisë së Tiranës u përball të hënën më 15 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për një bilanc negativ të konstatuar në pagesën e një pjese të çmimit të një apartamenti; për informacionet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar si dhe u pyet e sqaroi rrethana për hetimin e kryer lidhur me vdekjen tragjike të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landifillin e Sharrës në Tiranë.
Procesi i vetingut për prokurorin Zonja po kryhet nga trupa e KPK, e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Firdes Shuli. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.
Julian Zonja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Fier. Prej vitit 2008, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.
Relatorja Pine konstatoi mospërputhje të deklarimeve të subjektit për burimet që kanë shërbyer për blerjen në vitin 2011 të një apartamenti me sipërfaqe 63.8 m2 + 9.9 m2 sipërfaqe e përbashkët. Sipas saj, prokurori Zonja në vitin 2011 ka deklaruar si burim vetëm kredi në shumën totale 6.2 milionë lekë, ndërsa në deklaratën “veting” ka shënuar edhe të ardhurat e tij e të bashkëshortes, në masën 1.2 milionë lekë.
Në analizën e krijimit të kësaj pasurie, është konstatuar se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2010 gjendje cash dhe pagesën e kryer me burim nga të ardhurat e tij e të bashkëshortes, është konsideruar vetëm mundësia e kursimeve në vitin 2011. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 463 mijë lekë për pagesën e shumës 800 mijë lekë në vitin 2011, që ka rezultuar edhe balanaca e vetme negative për krijimin e kësaj pasurie.
Sipas Komisionit, Zonja ka pasur mundësi për blerjen e një autoveture në vitin 2004 kundrejt shumës 250 mijë lekë, mjet që është jashtë përdorimit, si dhe për një Benz të blerë nga bashkëshortja në 2016-ën, kundrejt vlerës 10 mijë euro.
Pine pohoi se veç pamundësisë së konstatuar për pagesën e kryer në vitin 2011 për apartamentin, Zonja rezulton me bilanc pozitiv për mbulimin e shpenzimeve dhe investimeve të tjera në vite.
Prokurori Zonja e cilësoi si një pakujdesi të paqëllimshme mosdeklarimin e cash-it në 2010-ën. Ai deklaroi se shuma e paguar përfaqësonte kursimet për shtëpinë që do të blinin që prej vitit 2010, kur kishte lidhur martesë me bashkëshorten.
Sipas subjektit, nga vetë analiza e KPK-së rezultonte se ai kishte pasur mundësi kursimi në 2010-ën dhe se nëse do të konsideroheshin vetëm tre muaj, atëherë mbulohej bilanci negativ prej 463 mijë lekësh.
Megjithëse DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për prokurorin Zonja, në vijimësi ka dërguar pranë Komisonit informacione sipas të cilave subjekti dyshohet se është përfshirë në veprime të kundërligjshme, në formën e shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, DSIK e ka lënë në dorë të Komisionit që të konkludojë lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës.
Pine sqaroi se, bazuar në këto informacione, Komisioni ka hetuar një dosje të vitit 2016, ku kallëzuesi N.M. ka kryer një kallëzim ndaj Bashkisë Tiranë, çështje për të cilën prokurori Zonja ka vendosur mosfillim të procedimit penal. Sipas relatores, gjykata e ka rrëzuar vendimin e subjektit dhe ka urdhëruar vijimin e hetimeve.
Subjekti e shpreh se i vinte “shumë zor” për ato fjalë që citoheshin në raportin e rishikuar të DSIK-së.
Lidhur me çështjen e verifikuar, ai sqaroi se bëhej fjalë për prishjen nga IKMT e një muri rrethues të një objekti në pronësi të N.M., kur ai e kishte legalizuar. Zonja tha se pas vendimarrjes së gjykatës kishte regjistruar procedim penal dhe kishte vijuar hetimet. Sipa tij, vendimarrja për mosfillimin e hetimit nuk kishte pasur ndonjë qëllim, por ashtu e kishte vlerësuar.
Zonja shtoi se kishte kërkuar dorëheqjen nga kjo çështje pasi kallëzuesi mbante qëndrim se kishte pasur qëllim për mosfillimin e hetimeve. Sipas subjektit, edhe prokurori tjetër e kishte çuar për pushim në gjykatë, por çështja ishte rikthyer për hetim.
Subjekti theksoi se informacioni kishte të bënte me mosfillimin e hetimit dhe jo me integritetin e tij.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në pesë dosjet e shortuara dhe në tre të përzgjedhurat prej tij. Po ashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka dorëzuar raport pozitiv për Zonjën.
Ndërkohë, subjektit i janë kërkuar shpjegime për disa prej 7 denoncimeve të kryera nga publiku në KPK.
Pine konstatoi se subjektit i është kaluar barrë prove lidhur me moskryerjen e hetimeve për një çështje korrupsioni. Prokurori Zonja deklaroi se ishin duke hetuar dy mjekë me veprime simuluese. Sipas tij, nuk mund të ngrihej akuzë për korrupsion aktiv ndaj bashkëpunëtorit që kishte pranuar të ishte pjesë e veprimeve simuluese.
Subjektit i janë kërkuar shpjegime edhe lidhur me veprimet dhe qëndrimin e tij në hetimin e një aksidenti automobilistik me pasojë vdekjen e një të riu, çështje e denoncuar prej babait të të ndjerit. Sipas Pines, ka rezultuar se çështja është zvarritur, si dhe subjekti për një vepër penale që parashikonte dënimin nga 5 deri në 20 vjet burg, ka kërkuar 7 vjet heqje lire për të pandehurin, pranë kufirit minimal.
Zonja pranoi se kishte pasur zgjatje të hetimeve, por ai argumentoi se kjo kishte ardhur si pasojë e problemeve që kishte shfaqur çështja, për shkak të nevojës së kryerjes së ekspertimeve ligjore. Subjekti pohoi se ka qenë babai i të ndjerit, që me të drejtë ka kërkuar kryerjen e ekspertimeve.
Në fund të seancës dëgjimore, kryesuesi Lulzim Hamitaj sqaroi se do të dilte jashtë rezultateve të relatuara të hetimit, me qëllim që të hidhej dritë mbi humbjen e jetës së të miturit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës në Tiranë, në vitin 2016. Hamitaj konstatoi se në shkrimet në media ishin ngritur dyshime lidhur me vendin e ngjarjes, nëse kishte ndodhur brenda apo jashtë landfillit.
Prokurori Zonja deklaroi se e kishte hetuar ai çështjen. Ai vërejti se kishte pasur pretendime nga të pandehurit se nuk kishte ndodhur në landfill, por se ai i kishte marrë ato me rezerva.
Subjekti sqaroi se ishte kryer ekspertim dhe hetim i plotë, prej nga bazuar në provat e siguruara i ishte krijuar bindja se ngjarja kishte ndodhur brenda landfillit. “Sepse nuk kishte prova që të vërtetonin se trupi i të ndjerit ishte sjellë aty,” argumentoi Zonja.
Kur Hamitaj e pyeti nëse kishte pasur ndonjë ndryshim të akuzave ndaj të pandehurave gjatë hetimit, Zonja sqaroi se gjykata kishte orientuar që të vendosej vendi i ngjarjes jashtë landfillit, por nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Sipas subjektit, nuk kishte pasur ndryshim të akuzave. “U tentua, por vendimi u dha në drejtimin që e dërgova për gjykim,” deklaroi Zonja dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
“Shpresoj të më shikoni si më kanë parë të gjithë,” iu drejtua Zonja Komisionit, por kryesuesi Hamitaj vërejti se vendimarrja bazohej në fakte dhe jo në opinionte.
KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 17 maj, në orën 09:45.