“Nuk e kam lidhur gomarin askund”, Bamir Topi: Pse nuk kthehem në politikë
Ish-presidenti Bamir Topi ka qenë i ftuar në “Breaking” për të folur për zhvillimet e fundit në politikë.
I pyetur nëse mendon një rikthim në politikë, ish-presidenti shprehet se nuk e ka ende një bindje të brendshme. Sipas tij ende nuk e di nëse do marrë pjesë apo jo, pasi nëse do e kishte një përgjigje për këtë nuk do e kishte problem të përgjigjej.
Bamir Topi: Fakti që kjo vjen si një pyetje nuk vjen nga një terren bosh sepse njerëzit thonë ky është aktiv nëpër studio televizive, është aktiv me shkrime, problemi nuk është se cili është interpretimi im në një moment të caktuar që i bëj politikës. Unë nuk vij në studio duke thënë “a do dal në studio”, sigurisht jeni ju që më ftoni dhe unë vij me dëshirë. Nëpërmjet studios jap mundësi të shpërndaj edhe atë zë që nuk vjen nga partitë politike. Partitë politike sot nuk janë të lira të interpretojnë mendimin e tyre. Unë nuk e kam lidhur gomarin në asnjë vend, as atje, as atje, as atje. Jo, jam totalisht i pavarur në personalitetin tim, por përderisa kam zgjedhur të jetoj në këtë vend, po të kisha jetuar jashtë do thoshin, “ti jeton andej, po jep interpretime për këtu”. Kam zgjedhur të jetoj këtu dhe jam një zë që më takon dhe kam një lloj detyrimi edhe për shkak të inercisë së kohës kur kam qenë politikan dhe president. A vjen historia për t’u përfshirë konkretisht edhe nuk e kam këtë bindje të brendshme. Pra brenda meje sigurisht që ka një përplasje të dëshirës dhe të momentit nëse do marrë pjesë apo nuk do marr, por ende nuk e kam. Po ta kisha, ju e njihni natyrën time dhe do e thosha. Sot për sot nuk e kam.
AlbaniaWeb.net