Nga Bangladeshi drejt BE: Policë dhe biznesmenë nën akuzë për trafik qëniesh njerëzore
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftuan të premten njëra pas tjetrës rezultatet e një hetimi ndaj trafikut ndërkombëtar të qenieve njerëzore, nga Banglandeshi drejt Shqipërisë, me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit të SPAK, të përfshirë në dy grupe kriminale të hetuara janë punonjës policie, agjenci të ndërmjetësimit dhe punësimit si dhe biznesmenë në fushën e fasonerisë. Pasi pajisjeshin me viza shqiptare, shtetasit nga Bangladeshi trafikoheshin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku e cilësoi operacionin si një shembull të vetëpastrimit të radhëve të policisë gjatë një konference për shtyp, ndërsa theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë e Posaçme.
Në njoftimin e SPAK që u shpërnda më vonë për mediat, thuhet se nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë caktuar masat e sigurimit personal për 26 persona, nga të cilët 21 janë lënë në arrest me burg, tre në arrest shtëpie dhe dy me masën e detyrimit për paraqitje para Policisë Gjyqësore.
Ata akuzohen për veprat penale të “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Për punonjësit e policisë të implikuar në këto linja trafikimi u ngritën akuzat e korrupsionit pasiv.
Sipas SPAK, dy grupe kriminale në Shqipëri kanë organizuar dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm për shtetas të huaj që vijnë nga Bangladeshi, për qëllime të përfitimit material gjatë viteve 2023 dhe 2024.
“Agjencitë e ndërmjetësimit të punësimit, në bashkëpunim me shoqëri tregtare me objekt veprimtarie kryesisht fasonerie, me seli në Vlorë dhe në Durrës, kanë kryer aplikime për leje unike pune dhe më pas për pajisje me vizë të tipit ‘D’, për shtetas të huaj kryesisht nga shteti i Bangladeshit…,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Nga hetimi ka rezultuar se këto procedura janë kryer në mënyrë fiktive, pasi qëllimi nuk ka qenë punësimi i tyre, por pajisja me vizë, në mënyrë që ata të mund të hynin lirshëm në territorin shqiptar, për t’u larguar më pas në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Gjatë aplikimeve për punësim dhe për vizë, janë paraqitur kontrata qiraje fiktive banimi, çertifikata profesionale dhe njohjes të gjuhëve të huaja të falsifikuara, ndërsa me ardhjen e këtyre shtetasve në Shqipëri, ata nuk kanë kryer deklarimin e tyre si punonjës, apo e kanë kryer këtë deklarim vetëm për pak kohë për të shmangur dyshimet.
SPAK sqaron se veprimtaria ka filluar të dokumentohet nga fundi i gushtit të vitit të kaluar, ndërsa procedurat e aplikimit datojnë më parë në kohë, ku episodet e udhëtimit të këtyre shtetasve nga Emiratet e Bashkuara Arabe për në Shqipëri nëpërmjet Aeroportit të Rinasit janë të shumta.
Prokuroria pretendon se nga provat e grumbulluara është arritur të provohet, se qëllimi i aplikimeve për punë dhe për vizë nuk është punësimi i tyre, por përdorimi i kësaj mënyre për të bërë të mundur futjen e tyre të ligjshme në territorin shqiptar, duke e përdorur atë si një vend tranzit për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
“Personat nën hetim provohet të kenë patur dijeni për këtë fakt, dhe kanë bashkëpunuar duke kryer veprime konkrete në funksion të arritjes së këtij qëllimi të përbashkët, duke patur role të caktuara dhe me qëllim përfitimi material, veprimtari – aktivitet i cili besohet të jetë tepër fitimprurës,” shprehet prokuroria.
Sipas njoftimit, shtetasit nga Bangladeshi paguanin 5 mijë euro në favor të grupeve të trafikimit.
Gjatë hetimit janë mbledhur prova për punonjës të policisë të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në nivel qëndror dhe rajonal, të cilët kanë lehtësuar dhe ndihmuar grupin kriminal në procedurat për pajisje me vizë të tipit “D”, kundrejt ryshfetit. Punonjësit e policisë akuzohen edhe për mosdokumentimin dhe raportimin gjatë kontrolleve që duhej të ushtronin gjatë detyrës së tyre, përfshi dhe punonjës policie të Komisariatit të Policisë Rinas, të cilët kanë pranuar nga grupi kriminal përfitime të parregullta në formën e transfertave monetare.
Policia ka ekzekutuar masat e sigurimit personal për 24 prej personave nën hetim, ndërsa dy janë shpallur në kërkim, njëri prej të cilëve nga Baglandeshi.
Në përfundim të operacionit janë sekuestruar 700 mijë USD; 400 mijë euro; 13 automjete; 50 telefona; tre pistoleta; një armë gjahu; 50 fishekë; katër laptopë; pesë kompjuter; 520 mijë lekë; 4000 paund; doza kokaine dhe cannabisi si dhe dokumente të ndryshme.