Mon, Nov 25, 2024

‘Diti të bën me pronë’: Skema e zhvatjes së 448 mijë m2 tokë shtetërore në Durrës

  • PublishedApril 12, 2024

Në vitin 2018, një ish-punëtor ferme i quajtur u kontaktua nga një person me emrin Diti, i cili i premtoi se do t’ia bënte ai dokumentat për të përfituar 3 mijë metra katrorë tokë në Spitallë në periferi të Durrësit.

Muaj më vonë, personi që identifikohet si Diti në një vendim për caktim mase sigurie të Gjykatës së Durrësit, e adresoi Xhametën në një zyrë noterie, pasi më parë i dha të firmoste një akt të bardhë për marrje toke në pronësi.

Në zyrën e noterisë, Xhameta, bashkëshortja e tij dhe i biri firmosën një akt përfaqësimi në emër të një personi që nuk e njihnin dhe morën në këmbim 200 mijë lekë nga Diti.

E vënë në lëvizje në vitin 2023 nga një denoncues, Prokuroria e Durrësit gjeti se përmes falsifikimit të akteve të Kadastrës, Xhametës i ishin kaluar në fakt 75 mijë metra katrorë tokë, të cilat edhe pse ai nuk e dinte se ku ndodheshin, ishin tjetërsuar dhe shitur për 17 milionë lekë.

“Deri në këtë fazë të hetimit, nga kryerja e veprimeve hetimore në dinamikë, ndër të tjera ka rezultuar se pasuria e regjistruar në ASHK fillimisht në emër të shtetasit Lirim Xhameta me një sipërfaqe prej 75,000 m2 dhe më pas e ndarë dhe tjetërsuar është përfituar në mënyrë tërësisht  joligjore”, thuhet në kërkesën për masë sigurimi e cila disponohet nga BIRN.

E njëjta skemë është përsëritur edhe për një sipërfaqe të dytë prej 76 mijë metrash katrorë, e regjistruar fillimisht në emër të të ndjerit Dilaver Taulla. Edhe pse Taulla kishte vdekur në vitin 2003, toka kaloi në pronësinë e tij në vitin 2010 dhe trashëgimtarët e tij u vunë në dijeni në vitin 2010.

Skema e tjetërsimit të pronave shtetërore në Spitallë të Durrësit është edhe më e gjerë. Sipas njoftimit të Prokurorisë, 448.000 m2 tokë u zhvatën dhe u tjetërsuan përmes mashtrimit, falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët shtetërorë.

Prokuroria e Durrësit akuzon për këtë skemë masive të fasifikimit me tokat Ardit Kërtushën, një ish-drejtues i Forumit Rinor të Partisë Socialiste dhe ish-punonjës i në atë kohë, Leonard Kadrimin, ish- zv.drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në dhe 14 persona të tjerë.

Kërtusha u arrestua të premten me akuzat e “Mashtrimit” dhe “Pastrimit të parave”, sëbashku me Leonard Kadrimin që akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

Lirim Xhameta, 58 vjeç, , 61 vjeç dhe Gjovalin Ndocin, 44 vjeç akuzohen gjithashtu për pastrim të parave.  Dy persona të tjerë, juristi i ASHK-së Durrës, , 46 vjeç, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe , 65 vjeç janë shpallur në kërkim. Ndaj 9 personave të tjerë, përfshi familjarë të përfituesve të arrestuar dhe zyrtarë të ASHK-së është marrë masa detyrim paraqitjeje.

Skema e tjetërsimit

Në shkurt 2023, një denoncues u paraqit para prokurorit në Durrës dhe kallëzoi se një sipërfaqe toke, për të cilën ai dhe të afërm të tij pretendojnë pronësinë dhe për të cilën ndodhen në proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë, ishte rrethuar me mure betoni nga persona të panjohur.

Prona sipas denoncuesit ndodhej në Spitallë, por ai nuk e dinte se kush ishte zaptuesi. E vënë në lëvizje pas këtij denoncimi prokuroria gjeti se prona ishte shitur dy herë dhe i kishte kaluar një kompanie që kishte bërë rrethimin dhe shtrimin e saj me çakull.

Por hetimet gjetën se procedurat e regjistrimit të kësaj prone në emër të Lirim Xhametës ishin të paligjshme, ashtu si dhe pasuria në emër të të ndjerit Dilaver Taulla.

Prokuroria zbuloi nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe marrja në pyetje e personave të përfshirë se fillimisht pronat ishin regjistruar në emër të Xhametës dhe Taullës dhe përmes falsifikimit të dokumentave ishin përfshirë në regjistrat kadastralë në vitin 2010. Drejtuesi i kadastrës në atë kohë dhe një punonjëse, emri i të cilës përdoret ne praktika, mohuan që t’i kishin nënshkruar aktet.

Vetë prokuroria gjeti se në fakt këto akte ishin futur në regjistra përmes shënimeve me dorë vetëm në vitin 2019.

Prokuroria nuk diferencon rolet që personat e arrestuar dhe akuzuar kanë luajtur, por Kërtusha duket se është nyja lidhëse. Emri i tij përmendet nga Xhameta si “Diti” dhe po ashtu edhe nga Dashnor Taulla, trashëgimtar i Dilaver Taullës, si personi që premtonte të rregullonte dokumentet për tokë.

“Më pas janë takuar Dashnori dhe Krenari me shtetasin dhe ky i fundit i ka marrë përsipër që t’i rregullonte tokë, pasi sipas Arditit, i takonte sipas ligjit. Arditi i ka kërkuar kartat e identitetit të tij dhe të vëllezërve dhe motrave duke i thënë se ‘ju takonin të gjithëve”, citohet në dosje Dashnor Taulla, i cili thotë se u përfshi në këtë histori në vitin 2019 sëbashku me Krenar Karatin, që i kishte premtuar se njihte dikë që mund t’i rregullonte tokën.

Në këtë kohë, Kërtusha ishte drejtues i -it të Partisë Socialiste të Durrësit, mbante një post drejtues në OSHEE-në lokale dhe po ashtu kishte kandiduar për t’u punësuar si regjistrues në kadastër, por ishte skualifikuar për shkak të mungesës së eksperiencës.  Në vitin 2020, ai garoi për t’u zgjedhur si kryetar i Partisë Socialiste në Durrës, por më pas u tërhoq nga gara.

Në profilin e tij në Facebook, Kërtusha akuzoi ish-kryebashkiakun Vangjush Dako për ndërhyrje në garë dhe akuzon se rivali i tij që fitoi zgjedhjet ishte marionetë e Dakos. Pas tërheqjes nga gara, Kërtusha mbështeti opozitën në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa në vitin 2022 mbeti i plagosur në një atentat.

I pyetur nga prokuroria për tjetërsimin e pronës, Kërtusha që njihet publikisht edhe si lektor në Universitetin e Durrësit, ka mohuar çdo dijeni.

“Është pyetur në lidhje me këto fakte, shtetasi Ardit Kërtusha, i cili ka deklaruar se nuk i njeh pjesëtarët e familjes Taulla dhe nuk ka asnjë lloj dijenie në lidhje me përfitimin prej tyre të sipërfaqes prej 76,000 m2,” citohet ai nga prokuroria.

Nga ana e tyre, Xhameta dhe Dashnor Taulla kanë mohuar të kenë përfituar nga transaksionet e kryera. Xhameta thotë se mori vetëm 200 mijë lekë, por nuk e pa asnjëherë pronën që iu kalua dhe që ai mendonte se ishte 3 mijë metra. Taulla nga ana e tij mohon të ketë dijeni që iu kalua në pronësi tokë dhe shtoi se në një përballje me Kërtushën, ky i fundit e kishte mohuar të kishin një marrëveshje.

Megjithatë, sipas prokurorisë ata kanë përfituar nga transaksionet e mëpasshme. Hetimet gjetën se si Xhameta ashtu edhe Taulla nënshkruan akte noteriale dhe i dhanë tagra përfaqësimi personave të tretë. Xhameta ia kaloi tagrat Gjovalin Ndocit, të cilit thotë se nuk e ka takuar kurrë. Ky i fundit sipas prokurorisë e shiti tokën në parcela te palë të treta për 17 milionë lekë. Po ashtu ai është një nga personat që aplikoi për ndryshimet në zërat kadastralë.

Ndoci ka dëshmuar se ai u përfshi në këtë histori me premtimin që të bënte para nga shit-blerja e pronave, prej një punonjësi të OSHEE-së, i identifikuar si i ndjeri Henkel Q. Ai tha se Henkel Q., e kishte njohur kur ai “punonte pranë OSHEE dhe në disa takime partiake”.

Prokuroria thotë se toka e tjetërsuar në këtë mënyrë u rivlerësua me ndihmë të akteve të falsifikuara për të shmangur taksat me vlerë disa herë më të lartë. Prokuroria gjeti se parcelat që i kaluan Xhametës u vlerësuan 279 milionë lekë. Veprimet kadastrale dhe aktet e rivlerësimit u kryen për dy ditë nga zëvendës drejtori i Kadastrës së Durrësit Leo Kadrimi, juristi Mikel Zaho dhe vartës të Kadrimit. Sipas prokurorisë, punonjës të kadastrës përfshi edhe drejtuesin e kohës, u shmangën nga procesi i kontrollit të regjistrimit.

Ndryshe nga rasti i Xhametës, Dashnor Taulla dhe të afërmit e tij që pretendohet se e trashëguan pronën nga i ndjeri Dilaver Taulla, ia kaluan tagrat e përfaqësimit Oliver Xhamuçës dhe toka u kaloi të tretëve përmes akteve të dhurimit.

Prokuroria thotë se edhe pse u bë dhurim, toka iu nënshtrua një rivlerësimi të falsifikuar që mundësonte shmangien e detyrimeve tatimore. “Në vijim të veprimeve krejtësisht joligjore e me qëllim përforcimin e titullit të pronësisë, tjetërsimin e saj dhe përfitimin e vlerave monetare që do të vinin pas tjetërsimit së saj në vijim (si dhe ka ndodhur, pavarësisht se është bërë me dhurim), autorët e veprave penale kanë vijuar në plotësimin e 4 referencave rivlerësimi tërësisht të falsifikuara”, thuhet në kërkesën për masë sigurimi. Toka në këtë rast u rivlerësua 273 milionë lekë.

Prokuroria thotë se aktet e ndërmarra dhe personat e përfshirë tregojnë për një skemë identike.

“Pra, i gjithë mekanizmi i kryerjes së veprave penale si në rastin e parë të përfitimit të sipërfaqes prej 75,000 m2 shtetasit Lirim Xhameta, ashtu dhe në rastin e dytë të përfitimit të sipërfaqes prej 76,000 m2 të shtetasit të ndjerë Dilaver Taulla është identik dhe ka dyshime të arsyeshme që të jenë të njëjtët autorë”, thuhet në kërkesë për masë sigurimi.

Si në skemën e parë edhe në të dytën, përfituesit e pronës dhe personi që mori tagrat për t’i përfaqësuar thonë se nuk e njohin njëri tjetrin, por të dy palët pretendojnë se u përfshinë në skemë nga Kërtusha.

“Shtetasi Oliver ka deklaruar se nuk njeh asnjë nga pjesëtarët e familjes Taulla, por kujton se në vitin 2019 shtetasi me emrin Ardit Kërtusha me të cilin kishte njohje i ka thënë që të shkonte tek Zyra Noteriale e J.B që të firmoste disa dokumente, pasi Arditi do të përfitonte një sasi toke duke i premtuar se pasi t’i shiste do t’i jepte një sasi parash,” thuhet në dosje.

Xhamuça madje ka këmbëngulur të takojë Ardit Kërtushën pas marrjes në pyetje në prokurori dhe pretendon se pasi e takoi, Kërtusha i kishte premtuar që gjithçka do të sqarohej prej tij.

Në këtë rast të dytë, toka është tjetërsuar përmes akteve të dhurimit nga Dashnor Taulla dhe të tjerë, te persona të tretë. Por prokuroria thotë se Taulla ka marrë sipas dëshmive 60 mijë euro dhe aktet e dhurimit ishin vetëm një formë e zgjedhur për të shmangur detyrimet. “Ai më ka thënë që të rrija pa merak pasi do ta zgjidhte ai këtë punë dhe pas kësaj nuk e kam takuar më”, citohet Xhamuça nga prokuroria.

Veprimet e regjistrimit në kadastër u kryen po nga të njëjtët zyrtarë sipas prokurorisë. Nga këta, ish- zv. drejtori Kadrimi, i cili u arrestua, ka dëshmuar se nuk kishte dijeni për skemën. Ai ia ka kaluar përgjegjësinë vartësve, duke pretenduar se ai vetë nuk verifikonte origjinën e pronës apo të  dokumenteve.

Akuzat

Prokuroria thotë në kërkesën për masë sigurie se Lirim Xhameta, bashkëshortja e tij dhe i biri, kanë qenë me dijeni pjesë e kësaj skeme dhe se ndryshe nga sa pretendojnë, kanë përfituar më shumë se 200 mijë lekë. Sipas prokurorisë, ata ishin në dijeni të plotë se nuk kishin pronë, por bashkëpunuan për të kryer tjetërsimin e tokës shtetërore.

Të njëjtën gjë vë në dukje prokuroria edhe për përfaqësuesit  në këto transaksione, Gjovalin Ndoci dhe Oliver Xhamuça.

Madje Ndoci sipas prokurorisë, në përpjekje për t’ia ngecur fajin një personi të vdekur, ka cënuar edhe normat morale të shoqërisë.

“Vetë fakti që ky shtetas më vonë, të paktën për njërën nga këto pasuri ka kryer veprime blerje e shitje tregon se është ai vetë në bashkëpunim me persona të tjerë të fshehur nga vetë ai, autorë në tjetërsimin e pronave për të cilat ai jo vetëm nuk kishte asnjë tagër të qartë dhe ligjor, por veprimi I tij ka qenë për të fshehja dhe mbulimi I origjinës së kësaj pasurie”, shprehet prokuroria në dosje.

Xhamuça “lehtësohet”, pasi prokuroria duket e ka besuar pretendimin e tij se ai nuk kishte lexuar aktet noteriale. Megjithatë, prokuroria pretendon se ai dhe Ndoci kanë ndihmuar me dashje shtetasin Ardit Kërtusha dhe bashkëpunëtorët e tij që të përfitojnë vlera monetare.

Ndërkohë, punonjësit e ASHK Durrës, si zv/drejtor dhe juristët Aida Kila dhe Mikel Zaho me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë, sipas prokurorisë, si pasojë “fillimisht krijimin e lehtësirave e më pas tjetërsimin e plotë të këtyre pasurive”.

Prokuroria thotë se nga hetimi rezultoi se ata nuk kanë respektuar hallkat e përcaktuara administrative, duke përjashtuar të paktën përgjegjësen e zonës dhe drejtuesin e ASHK-së nga kontrolli i praktikave të paligjshme.

“Me veprimet e tyre këta punonjës të shtetit duke shpërdoruar detyrën kanë sjellë si pasojë zhveshjen nga pronësia e këtyre sipërfaqeve toke që i përkisnin shtetit shqiptar dhe kalimin e tyre personave pa të drejtë”, thuhet në dosje.