Uzuni për notën 10, ylli kuqezi i jep shpresë Granada-s, por shqetëson Sylvinho-n: Po luaj i dëmtuar
Myrto Uzuni është një nga gjërat e pakta pozitive që i kanë ndodhur Granada-s këtë sezon, me yllin kuqezi që gjeti sërish rrugën e rrjetës duke shkuar në kuotën e 10 golave këtë sezon. Uzuni u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke dhënë kontributin e tij në suksesin e pastër 2-0 përballë Alaves, por sërish mbijetesa e tyre është në dyshim të fortë, për të mos thënë e pamundur. Pavarësisht shifrave, Uzuni vijon të besojë ende te mbijetesa:
“Është një fitore për të gjithë tifozët, që janë gjithmonë përkrah nesh. Ky triumf është për ta. Vinim nga ndeshje të mira, por të rëndësishme në futboll janë pikët. Mendërisht nuk është e lehtë për ne. Por jemi profesionistë dhe do të japim gjithçka deri në fund. Kjo ndeshje mbaroi këtu dhe tani të mendojmë për tjetrën. Do të japim gjithçka deri në fund, Do të luftojmë në çdo ndeshje për të fituar dhe të shohim pastaj se sa pikë do të kemi”, u shpreh Uzuni duke u ndalur më pas te shifrat e tij, 10 gola në La Liga:
“Jam i lumtur për 10 golat që arrita në La Liga dhe duhet ta dini që kam shumë uri për të shënuar gjithmonë dhe për të ndihmuar ekipin. A do të qëndroj te Granada? Unë këtu jam si në shtëpinë time. Jam shumë i lumtur në Granada. Njerëzit më duan. Kam kontratë me Granadan dhe jam i lumtur këtu. Dëmtimi? E gjithë bota e di që jam i dëmtuar. Luaj me një këmbë për të ndihmuar ekipin. Jap gjithçka për këtë fanellë. Nuk ka rëndësi nëse me një këmbë apo me dy. Do të jap gjithçka për ekipin”, u shpreh Uzuni pas mediave.
()