Wed, Nov 27, 2024

Hetimet e SPAK, Meta paralajmëron largimin e Monika Kryemadhit nga partia? Kreu i PL: Nuk mund të ketë dy shoferë në timon

  • PublishedApril 15, 2024

Në mënyrë të beftë Ilir Meta njoftoi nisjen e procedurave për të larguar Monika Kryemadhin nga strukturat drejtuese të Partisë së Lirisë.

Nën moton kundër nepotizmit politik, ish Presidenti paralajmëroi në mbledhjen e Kryesisë ndryshimin statutor, i cili i  tregon derën e partisë Monika Kryemadhit.

“Statuti do e ndërtojë këtë parti me baza të reja duke i thënë fund nepotizmit, duke i thënë jo mosmbajtjes së përgjegjësive, kakofonisë në drejtim dhe lënies së hapësirës për alibi dhe shfajësime për ata që nuk përmbushin detyrimet e tyre”, deklaroi sot Meta.

Por ky argument duket disi i vonuar brenda Partisë së Lirisë (ish- LSI), pasi  ishte vetë Ilir Meta i cili i  dorëzoi çelësat e partisë Monika Kryemadhit në 2017 kur hyri në zyrën e Presidencës, ndërkohe ishte po bashkëshortja që i ruajti karrigen e kryetarit të partisë për t’ia liruar 24 orë pasi kishte mbaruar mandatin e kreut të shtetit. Por, sot Meta është kundër një partie familjare dhe kërkon divorc politik nga bashkëshortja e cila është subjekt i hetimeve te Prokurorisë së Posaçme.

“Kjo nuk mund të jetë një forcë politike me dy shoferë. Pale kur futet dhe një dorë e tretë(me gjasë Luli) e askush nuk mbajnë përgjegjësi pastaj”, paralajmëroi Meta.

Hetimet  e zgjeruara mbi pasuritë e familjes po shoqërohen me një krizë të thellë te çiftit Meta Kryemadhi që shkon përtej çatisë së shtëpisë. Burime brenda Partisë së Lirisë bëjnë me dije për AlbaniaWeb.net se ndryshimet statutore që do i paraqiten Konventës që mbahet me 27 Prill nuk janë lëvizja e vetme, pasi Ilir Meta po nxiton të spastrojnë partinë edhe nga bashkëpunëtoret më të ngushtë të bashkëshortes së tij, të cilët po i largon një nga një nga postet partiake, pasi i druhet një lëvizjeje të brendshme që mund ti “rrëmbejnë”  partinë të cilën, Ilir Meta e konsideron pronë të tij.

 


AlbaniaWeb.net