Mon, Nov 25, 2024

Vrasjet e grave që tronditën Kosovën, policia del me deklaratë, thirrje qytetarëve

  • PublishedApril 16, 2024

Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë pas vrasjes së sotme që tronditi vendin, ku një grua u vra në Pejë nga bashkëshorti i saj.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i raportojnë rastet e dhunës në familje pa vonesë, duke thënë se kjo është mënyra e duhur për t’i zgjidhur dhe parandaluar rastet si dhe për t’i sjellë të dyshuarit para organeve të drejtësisë, për ta marrë dënimin e merituar nga institucionet kompetente.

Lidhur me dy rastet e fundit të vrasjeve, në Pejë dhe Ferizaj, Policia ka thënë se në të dy rastet ka ndërmarrë veprime konkrete duke arrestuar personat e dyshuar dhe të njëjtit i ka dërguar para organeve kompetente të drejtësisë.

“Veprimet ligjore të cilat bien në kompetencë të Policisë së Kosovës janë ndërmarrë ç’do herë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin dhe koordinim me institucionet relevante siç janë, qendrat për pune sociale, mbrojtësit e viktimave dhe organet e drejtësisë. Në të gjitha rastet janë arrestuar personat e dyshuar dhe rastet janë trajtuar sipas udhëzimeve të organeve të drejtësisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me arrestimin e dy personave të dyshuar të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjet në Ferizaj dhe Pejë”, thuhet në komunikatë.

Në këtë komunikatë, Policia ka dhënë detaje lidhur me rastet e dhunës në familje që ka thënë se vazhdojnë të mbeten shqetësuese.

“Rastet e dhunës në familje kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten shqetësuese, edhe përkundër faktit se rastet e tilla në vitin e fundit kanë shënuar rënie nga 2.757 raste në 2.460 raste, ose rënie prej 10.77% krahasuar me vitin paraprak, raste këto të cilat në këtë fillim vit vazhdojnë të mbeten edhe më tej shqetësuese”, thuhet në komunikatë.


AlbaniaWeb.net